Këshilli Kombëtar Shqiptar shkresë zyrtare drejtuar Kuvendit të Kosovës

Këshilli Kombëtar Shqiptar, ka bërë publike shkresën zyrtare drejtuar Parlamentit të Kosovës, të firmosur nga tri nivelet e pushteteve lokale dhe qendrore të Luginës së Preshevës.

“Pas thirrjes së seancës së jashtëzakonshme parlamentare të Kosovës për të diskutuar kërkesat e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, është kërkuar formimi i mekanizmave për mbështetje – me projekte konkrete – jetike për ruajtjen e substancës kombëtare në Luginën e Preshevës” – thuhet në shkresën zyrtare të nënshkruar nga kryetari i KKSH-së, Ragmi Mustafa, kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi dhe deputeti popullor, Fatmir Hasani.

Përfaqësuesit institucionalë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, kanë këtë shkresë ua kanë dërguar grupeve parlamentare kosovare për të diskutuar në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, që do të mbahet të hënën e 1 korrikut, me këtë përmbajtje:

“Në një iniciativë të përbashkët, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa bashkë me kryetarin e komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi dhe deputetin popullor, Fatmir Hasani, si përfaqësues institucional të Luginës së Preshevës, sot iu drejtuan zyrtarisht me shkresë shefave të grupeve parlamentare të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Pas thirrjes së seancës së jashtëzakonshme parlamentare për të diskutuar kërkesat e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, është kërkuar formimi i mekanizmave për mbështetje – me projekte konkrete – jetike për ruajtjen e substancës kombëtare në Luginën e Preshevës

Duke qenë se Qeveria e Republikës së Serbisë nuk tregon realisht gatishmëri dhe vullnet politik për t`i zgjidhur sfidat me të cilat po përballen e shqiptarët e Luginës së Preshevës, që në vazhdimësi po refuzon të jetësoj tri marrëveshjet që i ka firmosur me përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës më vitet 2001 (Marrëveshjes së Konçulit), 2009 (Marrëveshja për ristrukturimin e Trupit Koordinues) dhe 2013 (Masave urgjente për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve “Plani 7 pikësh”) me garanca ndërkombëtare, prezenca e Republikës së Kosovës është qenësore për Luginën e Preshevës.

Vlerësojmë se institucionet e Republikës së Kosovës duhet të kenë angazhim më substancial dhe të drejtpërdrejtë si dhe shqyrtimin e mundësisë për të realizuar kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës” – thuhet në shkresën drejtuar shefave të grupeve parlamentare të Kosovës.

Vlen të ceket se seanca e jashtëzakonshme e parlamentit të Kosovës për Luginën e Preshevës, po mbahet më 1 korrik, një ditë para datës historike të 2 korrikut të vitit 1990, kur u pat shpallur Kosova Republikë, njofton Jetapress.