Këshilltarët politikë: Si emërohen, çka punojnë dhe si abuzojnë me detyrën

Shkruan Shukri Klinaku

Historia dhe përrallat e vjetra na tregojnë se prej lashtësisë mbretërit dhe qeveritarët kanë bërë përpjekje të sjellin në oborret e tyre njerëzit e mençur të vendit, madje edhe prej jashtë vendit. Dikush më pak, e dikush më shumë, dikush me qëllime fisnike, e dikush me qëllime grabitçare. Si bëhet kjo në Kosovën e pasluftës? Këta njerëzit e mençur që i afron qeveria dhe institucionet tjera në oborrin e vet sot njihen me emrin këshilltarë politikë, ose këshilltarë për një fushë të caktuar.

1. Emërimi i këshilltarëve – sigurisht se është në vullnetin e udhëheqësit që do të këshillohet se kë do të emëroj këshilltar. Dhe kur sheh një udhëheqës se kë ka zgjedhur për këshilltar, atëherë lehtë përfundohet se çfarë qëllimesh ka udhëheqësi në qeverisjen që i është besuar. Udhëheqësit e institucioneve tona shumicën dërrmuese të këshilltarëve i emërojnë njerëzit e rrethinës së vet dhe të shkallës së vet të përgatitjes, gjë e cila është në kundërshtim me idenë bazike të të pasurit këshilltar.

2. Klasat e këshilltarëve – këshilltarët e udhëheqësve tanë mund të klasifikohen në tri klasë: këshilltarë për qëllime grabitçare; këshilltarë që nuk punojnë dhe nuk këshillojnë gjë; dhe klasa shumë e rrallë dhe shumë e vogël për nga numri, këshilltarë që meritojnë këtë emër.

3. Shkeljet më drastike që bëjnë këshilltarët e udhëheqësve tanë sot – e para, bartja e funksioneve vendimmarrëse në institucionin ku janë këshilltarë; e dyta, ndërhyrja e këshilltarëve në rolin e komanduesit, sikur të ishte funksionari të cilin e këshillon; e treta, dalja orë e çast në publik, e cila dalje ka edhe dy variante shumë të shëmtuara – del dhe përfaqëson institucionin, gjë që është shkelje e rëndë; dhe del e mbron interesat e një partiie politike.