Këshilltari i Thaçit: Vjosa Osmani po përpiqet ta vonojë mocionin, i ka ditët e fundit të dëshmojë nëse po i shërben Kurtit

Këshilltari politik i presidentit Thaçi, Adil Behramaj, përmes një shkrimi në facebook, ka thënë se Vjosa Osmani, i ka ditët e fundit si kryeparlamentare të dëshmojë nëse aty është për t’i shërbyer Albin Kurtit, duke e shkelur Kushtetutën e Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit apo për t’i ushtruar kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore në shërbim të të zgjedhurve të popullit dhe vetë popullit.

Shkrimi i plotë:

Asnjë institut dhe asnjë institucion nuk mund të jetë mbi Kushtetutën e Kosovës. Këtë duhet ta dijë edhe Vjosa Osmani, e cila i ka ditët e fundit për të dëshmuar nëse aty është për t’i shërbyer Albin Kurtit, duke e shkelur Kushtetutën e Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit apo për t’i ushtruar kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore në shërbim të të zgjedhurve të popullit dhe vetë popullit.

Kuvendi është institucion ligjvënës, i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli dhe jo i zgjedhur nga Vjosa Osmani. Përpjekjet e saj për ta vonuar Mocionin e Mosbesimit, duke i kërkuar opinion IKSHPK-së për mbajtje të seancës, drejtori i të cilës nuk guxonte të vinte as në takim me presidentin pa lejen e ministrit dhe ky i fundit, po ashtu, nuk guxonte as ta lejonte të vinte pa e pyetur kryeministrin, ua fyejnë edhe inteligjencën qytetarëve.

Neni 100 i Kushtetutës së Kosovës, i cili rregullon çështjen e Mocionit të Votëbesimit, në pikën 3 thotë shumë qartë se Mocioni i Mosbesimit vihet në rendin e ditës së Kuvendit, jo më vonë se pesë (5) ditë e as më herët se dy (2) ditë nga data e parashtrimit të tij. Edhe Rregullorja e Kuvendit e thotë të njëjtën gjë në nenin 30.

Thirre seancën kryeparlamentare dhe lëri lojërat politike, se e dinë shumë mirë që i gjithë objekti i Kuvendit, përfshirë këtu edhe sallën e seancave, është dezinfektuar para 3-4 ditësh nga ekipet profesionale, që të mund të mblidhen deputetët.

Shumë qeveri e legjislatura janë rrëzuar në të kaluarën, por kurrë nuk kanë shkuar duke vajtuar kështu si ju!

Lini një Përgjigje