Këta janë 5 kandidatët shqiptarë që garojnë për zgjedhjet në Parlamentin Europian e në Belgjikë

Në kuadër të zgjedhjeve lokale, nacionale dhe atyre europiane, të cilat do të mbahen më 26 maj do garojnë edhe pesë kandidatë shqiptarë si pjesë e Partisë Socialiste Belge.

Ata janë: Amet Gjanaj, Luiza Duraki, Habibe Duraki, Avni Gjanaj si dhe Qendresa Gerlica.

Me fillimin e fushatës zgjedhore, Amet Gjanaj, deputet aktual i rajonit të Brukselit, njëkohësisht edhe kandidat për Parlamentin Europian, pohoi se ky është një rast i favorshëm për shqiptarët, që përveç parlamenteve rajonale dhe atij nacional belg, të kenë përfaqësi edhe në Parlamentin Europian.

“Ne vijmë me një ofertë të re për komunitetin shqiptar, që të kemi përfaqësues në tri nivele që i kemi përpara, do të thotë nivelin europian, ku jam unë kandidat, nivelin e Belgjikës në Parlamentin e Belgjikës dhe në nivelin e Brukselit ku janë tre kandidatë të pranishëm. Oferta është që komuniteti shqiptar të ecë sa më parë me këtë skenë” tha ai, raporton Albinfo.ch.

Ahmet Gjanaj është deputeti i parë shqiptar në Parlamentin e Belgjikës.

Në listën e Partisë Socialiste Belge, për Parlamentin Nacional belg është edhe Luiza Duraki.

“Jam shumë e kënaqur që Partia Socialiste Belge më ka besuar të jem kandidate në Parlamentin Federal”, ka thënë Luiza Duraki.

Ndërsa, Habibe Duraki, nënkryetare aktuale e komunës Evere të Brukselit, e Avni Xhanaj e Qendresa Gërlica, janë kandidatë për Parlamentin e rajonit të Brukselit.

“Tani janë zgjedhjet në tri nivele, unë jam në nivelin rajonal për Parlamentin e Brukselit”, ka thënë Habibe Duraki.

“Edhe unë si kolegët e mi, me përkrahjen tuaj, do të bëhem deputet në Bruksel”, ka thënë Avni Gjanaj.

“Gjasat besoj se janë të mira, varet edhe nga mbështetja e të gjithëve për këtë sfidë të re. Domethënë, e mira është që jemi tre kandidatë në rajonin e Brukselit dhe mund ta mbështesim njëri-tjetrin e të mundohemi që të mbledhim sa më shumë vota dhe të kemi përfitim sa më të madh”, ka thënë kandidatja tjetër, Qendresa Gerlica.