Këta janë inspektorët e arrestuar të komunës së Prishtinës

Qenan L. Osmani, Gjymshit A. Gashi, Gafurr V. Rexha janë tre zyrtarë të Inspektoratit të Kuvendit Komunal të Prishtinës të arrestuar sot nën dyshimin për shpërdorim të detyrës zyrtare, mëson Gazeta Sinjali nga burimet e sigurta.

Njëri nga të dyshuarit Qenan Osmani është i moshës 64 vjeçare ndërsa dy të tjerët, Gjymshit Gashi i moshës 57 vjeçare, përkatësisht Gafurr Rexha, 36 vjeç, shkruan Sinjali.

Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore tre të arrestuarit janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarit në lidhje me rastin shpërdorim i detyrës zyrtare në rrugën “Nekibe Kelmendi” në fshatin Hajvali ku kishte ndodhur një rast “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe dëmtim i pronës”.

Gazeta Sinjali raportoi më parë se me urdhër të prokurorit, tre të dyshuarit janë dërguar në Qendrën e mbajtjes në Prishtinë për 48 orë.

Arrestimi i tyre lidhet me ngjarjen e djeshme ku ishte arrestuar Bejtush Gashi për shkak se si pronar i objektit afër Pallatit të Drejtësisë kishte shkaktuar rrezikim të përgjithshëm.

Inspektorati Komunal gjatë ditës së djeshme kishte bllokuar rrugën afër Pallatit të Drejtësisë për shkak se kishte pasur rrëshqitje të dheut.

Po ashtu përveç zyrtarëve komunal në mbajtje është dërguar edhe Bejtush Gashi.