Këta janë shtatë kosovarët e garës më të madhe automobilistike evropiane

Liridon Kalenderi, Bardhyl Canolli, Besfort Bunjaku, Gazmend Demolli, Leutrim Bytyqi, Kreshnik Mariqi dhe Valon Jaha janë automobilistë kosovarë që do të marrin pjesë në garën e madhe, e cila këtë fundjavë mbahet në kuadër të Kampionatit Evropian në Buzet të Kroacisë.

Bëhet fjalë për njërën nga garat më të mëdha, më atraktive dhe më prestigjioze, prandaj është e qartë se, edhe konkurrenca është tejet e madhe. Përkundër këtij fakti, garuesit tanë janë shprehur optimistë për rezultate të mira, madje nuk e fshehin optimizmin për t’u gjendur në podiumin e fituesve.

Besfort Bunjaku për herë të parë do të jetë pjesëmarrës i garës në Buzet, por ky fakt nuk i zbeh pritjet e tij. “E dimë se është një garë shumë e fortë, me garues të njohur nga mbarë Evropa, por edhe ne synojmë të arrijmë rezultate të mira, në Buzet shkoj me ambicie për t’u gjendur në podiumin e fituesve, megjithëse jam i vetëdijshëm se do të jetë tepër vështirë“, ka thënë Bunjaku.

Optimizmin nuk e ka fshehur as Liridon Kalenderi. “Është njëra nga 12 garat e Kampionatit Evropian. Buzeti është një shteg që kërkon shpejtësi dhe teknikë, konkurrenca është e madhe, por shpresoj që kësaj radhe çdo gjë do të jetë në rregull dhe të arrijmë rezultate të mira, megjithëse ne nuk po kemi mundësi të jemi aktivë sikur vozitësit e tjerë që pretendojnë titullin e kampionit në këtë disiplinë”.

Edhe garuesit e tjerë dhe zyrtarët e Federatës së Auto Sportit të Kosovës besojnë që në Buzet do të kemi paraqitje të mirë, shkruajnë mediat kosovare.

Lini një Përgjigje