Këto janë rrogat e këshilltarëve të presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit sipas Ligjit të Pagave

Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 2 shkurt kanë miratuar Ligjin për Pagat në sektorin publik, ndërsa Ligji ka hyrë në fuqi automatikisht pasi presidenti Hashim Thaçi nuk e ka kthyer për plotësime shtesë.
Ky Ligj pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1, kurse vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.
Në bazë të Ligjit për Paga , ndryshime në paga ka pasur edhe për këshilltarët e Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.
Në kuadër të tyre, pagën më të lartë pritet ta kenë shefat e personelit në Kuvend dhe Qeveri, të cilët në bazë të koeficientit 7.75 ata do të paguhet 1,852.25 euro, ndërsa shefi i kabinetit në Presidencë dhe Qeveri do të paguhet 1,793.75 euro, pasuar nga zëvendësshefi i personeli në Kuvend që do të paguhet me koeficientin 6.5 apo 1,553.50 euro.
Sipas Ligjit, këshilltari i Kryetarit të Kuvendit do ta ketë pagën 1,434 euro, ndjekur nga këshilltari politik 1 në Presidencë dhe Qeveri që do të paguhet me koeficientin 5 apo 1,195 euro ashtu sikurse këshilltari i lartë politikë 2 në Qeveri, ndërsa këshilltar politik 2 në Qeveri do të merr pagë 908.2 euro.
Shef i Protokollit në Presidencë dhe Qeveri do të paguhet sipas koeficientit 4.7 apo 1,123.30 euro.
Këshilltar i Grupit Parlamentar do të merr pagë 884.30 euro, ndërsa asistenti i Kryetarit të Kuvendit do të paguhet 836.5 euro.
Sipas nenit 34, ky Ligj hyn në fuqi nëntë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.