Kinë, zbulohen dokumentet që tregojnë se të burgosurve “iu është shpërlarë truri”

Kanë rrjedhë dokumente që dëshmojnë për shpëlarje sistematike të trurit të qindra-mijëra myslimanëve në burgjet e Kinës.

Qeveria kineze ka pohuar vazhdimisht se kampet e burgjeve në rajonin e largët perëndimor të Xiniang ofrojnë arsim dhe aftësim vullnetar, por dokumentet zyrtare, të cilat janë parë nga BBC Panorama, tregojnë se të burgosurit ishin të mbyllur, të indoktrinuar dhe të ndëshkuar.

Ambasadori kinez në Londër ka mohuar vërtetësinë e dokumenteve, duke thënë se bëhet fjalë për lajme të rreme.

Rasti u zbulua në Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve hetues, i cili ka partneritet me 17 partnerë mediatikë, përfshirë BBC Panorama dhe Guardian në Britaninë e Madhe, transmeton KosovaPress.

Bëhet fjalë për dokumentet e lëshuara nga Zu Haliun, sekretari i atëhershëm i Partisë Komuniste në Xiniang dhe zyrtari më i lartë i rajonit për siguri në vitin 2017, i cili këto dokumente ua ka dërguar menaxhuesve të kampeve të burgjeve.

Sipas BBC, në udhëzime kërkohet qartë që burgjet e sigurisë së lartë të menaxhohen me disiplinë të rreptë, dënime dhe pa mundësi për arratisje.

Dokumentet përmbajnë urdhrat:

“Mos lejoni asnjëherë ikjen”

“Rritja e disiplinës dhe të dënohen shkelësit për sjelljen e tyre”

“Promovoni pendimin dhe rrëfimin”

“Studimet mandarine janë përparësi”

“Inkurajoni studentët të transformohen me të vërtetë”

“Siguroni mbulimin e plotë të konvikteve dhe klasave me mbikëqyrjen përmes videos”

Dokumentet zbulojnë se si monitorohen dhe kontrollohen të gjitha aspektet e jetës së një të burgosuri: Studentët duhet të kenë një pozicion të përhershëm të shtratit, një radhë të përhershme në rresht, një vend të përhershëm në klasë, dhe ndalohet rreptë ndryshimi i tyre.

“Aplikoni standardet e sjelljes dhe kërkesat e disiplinës në lidhje me ngritjen, thirrjen, larjen, shkuarjen në tualet, organizimin dhe familjen, ndërsa hani, studioni, fle, mbyllni dyert …”

Një dokument zbulon se 15,000 njerëz nga Xiniang jugor janë dërguar në kampe vetëm në një javë në 2017.

Sophie Richardson, drejtoresha kineze e Human Rights Watch, tha se prokurorët duhet të përdorin memorandumin e lëshuar, raporton BBC.

“Kjo është një provë efektive, e cila dokumenton shkelje të madhe të të drejtave të njeriut. Unë mendoj se është e drejtë të përshkruaj se të gjithë të arrestuarit i nënshtrohen të paktën torturave psikologjike, sepse ata fjalë për fjalë nuk e dinë se sa do të jenë atje”, tha Richardson.

Dokumentet përfshijnë direktiva të qarta për arrestimin e pjesëtarëve të popullit Ujgur me nënshtetësi të huaj dhe gjurmimin e Ujgurëve që jetojnë jashtë vendit.

Ambasadat dhe konsullatat kineze thuhet se janë të përfshira në një hetim global.