Kjo është komuna ku gara ishte më e ngushta ndërmjet tri partive

Tanimë po përfundon numërimi i votave nga KQZ në të gjithë vendin. Në shumicën e komunave është zhvilluar garë e fortë midis subjekteve politike, por sidoqoftë kishte edhe prej atyre komuna në të cilat qytetarët kishin ndarë mendjen që të votonin masivisht për ndonjë subjekt politik.

I veçantë është rasti i komunës së Klinës. Në këtë komunë diferencën midis tri partive e bënë vetëm disa vota.

Në këtë komunë të drejtën e votimit e kanë shfrytëzuar 17.240 persona. KQZ ka numëruar të gjitha votat e qytetarëve në këtë komunë dhe rezultati është si vijon:

Koalicioni AAK-PSD ka marrë 4.456 vota, pra vetëm 12 më shumë se subjekti i dytë më i votuar në këtë komunë, LDK’ja, që ka 4.444 vota. Qytetarët në këtë komunë ishin shumë të ndarë. Andaj edhe partia e tretë PDK’ja kishte vetëm 44 vota më pak se vendi i parë. PDK ka marrë gjithsej 4.412 vota në këtë komunë.

Ndërkohë partia që fitoi zgjedhjet në nivel vendi mori shumë pak përkrahje në këtë komunë. Lëvizja Vetëvendosje ka marrur vetëm 1.506 vota në Klinë. Ndërkohë Koalicioni AKR-Nisma-PD ka vetëm 808 vota.

Zgjedhjet në nivel vendi ishin shumë të mira në aspektin organizativ. Lëvdata të mëdha kanë ardhur nga vendet fqinje dhe misionet ndërkombëtare në vendin tonë. Dalja në votime ishte masive dhe kishte më së paku incidente.