Klement Tinaj, një kandidat shqiptar për guvernator të Kalifornisë

0
280
Klement Tinaj është një shqiptaro-amerikan 28-vjeçar me banim në Los Anxhelos, i cili ka hyrë në garën për guvernator të Kalifornisë si kandidat demokrat.
Ai ka luajtur në disa filma të Hollivudit dhe është pronar biznesesh të vogla. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Tinaj thotë se ka besim se do të dalë me sukses në këtë garë pasi mosha është thjesht një numër.
Zgjedhjet brenda Partisë Demokrate mbahen më 5 qershor, ndërsa zgjedhjet për guvernatorin më 6 nëntor të këtij viti.
“Kalifornia është vërtet një shtet i madh, është ekonomia e gjashtë më e madhe në botë, ka një bujqësi të zhvilluar, është shtëpia e industrisë së filmit dhe e medias sociale. Unë jam kandidati më i ri në garë dhe luftoj për njerëzit e shtresës punëtore, sepse besoj se kandidatët e tjerë kontrollohen nga grupet e interesave të veçanta, nga sindikatat dhe bankat. Unë nuk pres ndihmë nga askush dhe e financoj vetë fushatën. Unë sjell në këtë garë besim dhe shpresë për shtresën punëtore, frymëzoj të rinjtë dhe shërbej si zëri i atyre që nuk kanë zë”, ka thënë ai.
Ai erdhi si 15-vjeçar në Amerikë, derisa flet për ëndrrën amerikane. “Shumë njerëz vijnë këtu për të kontribuar për ëndrrën amerikane dhe unë jam një prej tyre. Në fakt ky është i vetmi vend në botë ku ëndrrat mund t’i bësh realitet. Mund të ëndërrosh ç’të duash dhe ta bësh atë realitet nëse ke guximin për ta ndjekur ëndrrën dhe për të ndjekur pasionin që ke.
Ai ka qenë i angazhuar në industrinë e filmit për një kohë. “Po, kam qenë në industrinë e filmit, kam edhe dy shkolla në Los Anxhelos, që janë pronë e imja. Kam edhe disa biznese të vogla, jam pronar i festivalit të filmit United International, që është festivali i njëqindtë më i mirë i filmit në botë. Pra, kur i hyra garës për guvernator, pikërisht kjo më frymëzoi, sepse 50 për qind e banorëve të këtushëm punësohen nga bizneset e vogla. Duke qenë pronar biznesesh të vogla, unë e di mirë se sa të vështirë e kanë njerëzit dhe kush vuan më shumë, sidomos njerëzit me ngjyrë dhe komunitetet e varfra”, theksoi Tinaj.
Nëse do të fitonte këtë garë, ai do të ishte guvernatori i parë shqiptar në Amerikë dhe më i riu në Kaliforni. “E përsëris se qëllimi im është të frymëzoj të rinjtë, t’u jap zë atyre që nuk kanë zë dhe t’u jap shpresë shtresave punëtore si dhe njerëzve që deri tani kanë qenë të harruar. Unë mendoj se kam energjinë e duhur, kam gjithçka nevojitet për të përveshur mëngët dhe për t’i hyrë punës. Rivalët e mi në garë kanë qenë në politikë prej 15-20 vjetësh. Ata edhe sot kanë të njëjtën platformë që kanë patur 15-20 vjet më parë dhe nuk ofrojnë asgjë të re për shtetin tonë të mrekullueshëm. Unë jam i vetmi kandidat që në fakt kam një plan për Kaliforninë. Sapo kam bërë publik planin tim të veprimit prej 10 pikash. Ky është plani që do të vë në jetë për katër vitet e mandatit të parë si guvernator i Kalifornisë”, theksoi ndër të tjera Klement Tinaj.