Klinaku: Taksa nuk duhet të hiqet deri në një pikë kritike që nuk i pengon këto dy çështje

0
297
Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku në emisionin “InfoMagazine” në Klan Kosova ka deklaruar se taksa prej 100% ndaj Serbisë e ka arritur efektin e vet dhe ka sjellë rezultate të reja.
Taksa nuk duhet të hiqet deri në një  pikë kritike që nuk i pengon dy çështje: raportet me SHBA-në dhe marrëveshjen me Serbinë. Pra, taksa duhet të mbetet në fuqi dhe ajo duhet të përcillet edhe me masa të tjera reciprociteti në mënyrë që të ecet drejt një marrëveshjeje në interes të të dyja palëve, transmeton fokusi.info.
“Reciprociteti duhet të shtrihet edhe në sferën politike. Po të isha në vendin e kryeministrit, qysh sot do të paralajmëroja edhe faktorët ndërkombëtarë, por edhe Serbinë, që në mandatin e ardhshëm qeveritar dhe të Kuvendit serbët nuk do të kenë më privilegjet që i kanë ose të njëjtat duhet t’i zbatojë Serbia për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, ka deklaruar Klinaku.
Sa i përket takimit mes Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, Klinaku tha:
“Është pritur shumë nga ky takim, ka disa ditë që është paralajmëruar – është pritur që efekti do të jetë i drejtpërdrejtë. Së paku pritjet kanë qenë që taksa do të hiqet që nga dita e sotme por në realitet takimi nuk dha shumë, sidomos për opinionin publik”.
“Ndoshta efektin e vërtetë ky takim e ka arritur sepse ndoshta qëllimi ka qenë vet takimi. Porosia amerikane ndoshta ka shkuar në vend por e vërteta është se taksa nuk është hequr”.
“Mjegull e madhe ka mbetur për shkak se nuk dihet saktësisht çfarë është biseduar brenda”.
“Informata dha vetëm Kadri Veseli përmes një postimi në Facebook. Porosia kryesore e tij ishte se me Amerikën në asnjë rast nuk do të prishemi duke lënë mundësinë që taksa të hiqet”.
“Ramush Haradinaj foli në konferencën për media ku bëri me dije, por jo me forcën e zërit si gjithmonë, se taksa do të mbetet”.