Klinika e Syve i shpëton të pamurit foshnjës

Një ekip i mjekëve specialistë në Klinikën e Syve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka kryer me sukses një ndërhyrje në sy të një fëmijë një muajsh, duke ia shpëtuar të pamurit, pasi ishte diagnostikuar me retinopati premature, që çon në verbërim të përhershëm.

Kjo sëmundje shfaqet tek fëmijët e lindur para kohe dhe zakonisht shkaktohet nga rritja e çrregullt e enëve të gjakut, të cilat dëmtojnë retinën e syrit.

Fëmija ka qëndruar për katër javë në Klinikën e Neonatologjisë. Nga ekzaminimet e bëra, mjekët kanë konstatuar se ndërhyrja e menjëhershme është e domosdoshme për t’ia shpëtuar foshnjës sytë.

Doktor Ardian Sermaxhaj thotë se pacienti tash është mirë, nën përcjellje të mjekëve, gjersa flet për pasojat nëse rasti nuk do të trajtohej me kohë.

“Foshnja tash është mirë dhe nuk ka kurrfarë problemi. Është në javën e 36-të, jemi duke e përcjellë. Po të mos identifikohej problemi me kohë, pas 2 javësh do të mund të ndodhte shkalla e tretë apo e katërt e retinopatisë premature, që do të çonte në verbërim të përjetshëm”, thotë Sermaxhaj.

Klinika e Syve ka formuar një ekip prej 5 mjekësh për trajtimin e sëmundjes së retinopatisë premature. Përveç dr. Ardian Sermaxhajt, aty bën pjesë edhe dr. Anita Sylaj, dr. Festim Bllata, dr. Visar Huruglica dhe dr. Belinda Pustina.

Drejtori i Klinikës së Syve, Adem Miftari, thotë se QKUK ka kapacitet të trajtojë të shumicën e rasteve të kësaj natyre, pa pasur nevojë për referim jashtë vendit.

“Menaxhmenti i Klinikës, bashkë me mjekët, punojnë në ekipin që diagnostikon dhe trajton retinopatinë e premature. Jemi duke punuar edhe në hartimin e protokollit për diagnostikimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje, duke u bazuar në përvojat e mjekësisë kulminante”.

“Ne kemi kapacitet të trajtojmë shumicën e rasteve me probleme të retinopatisë premature. Sa i përket trajtimit të këtyre sëmundjeve, jemi në një nivel me vendet e përparuara të botës. Presim që të furnizohemi me pajisje shtesë, në mënyrë që të trajtojmë të gjitha rastet”, thekson Miftari.

Në Klinikën e Syve, për 2 vjet, janë trajtuar 27 raste suksesshëm me retinopati premature.