Klubi serb tenton të futet ilegalisht në Kosovë, kthehet mbrapsht nga Policia

370

Klubi serb i hendbollit, RK Arilje, nuk është lejuar të futet në territorin e Kosovës nga policia kosovare dhe është kthyer mbrapsht në pikën kufitare në Jarinjë.

RK Arilje po udhëtonte drejt Mitrovicës së Veriut për t’u përballur me klubin tjetër serb nga Mitrovica, Trepca, kur u ndalua për një orë nga policia e Kosovës para se të kthehej nga kishte ardhur të dielën, raporton Gazeta Express.

Qëllimi i RK Arilje ishte ta zhvillonte një ndeshje të jashtëligjshme në territorin e Kosovës në një garë të Federatës së Hendbollit të Serbisë.

Klubi serb shkroi në Facebook se nuk u lejua të futej në Kosovë për shkak se nuk kishte leje nga Ministria e Sportit e Kosovës për të bërë gara në territorin e Kosovës.

“Ndeshja e shtyrë e javës së nëntë në Ligën e Parë Perëndimore, Grupi B, mes RK Trepca dhe RK Arilja e caktuar për 28.02.2021 në orën 15:00 në Mitrovicë, nuk do të luhet. Lojtarët e Arilje u ndalën për një orë në pikën kufitare në Jarinjë dhe më pas u kthyen mbrapsht”, njoftoi klubi serb.

Arilje i ka kërkuar federatës serbe ta gjejë një vend neutral për zhvillimin e kësaj ndeshjeje apo ta regjistrojë atë me rezultat zyrtar.

Kjo nuk është hera e parë që një klub serb kthehet mbrapsht nga policia e Kosovës.

Policia e Kosovës përballet shpesh me rastet të tilla, kur klubet serbë përpiqen të futen në territorin e Kosovës për të zhvilluar ndeshje që organizohen ilegalisht nga federatat e sportit të Serbisë.