Kocijançiq: Presim bashkëpunim të ngushtë me Matthew Palmer për dialogun Kosovë-Serbi

Dhjetori i këtij viti pritet të jetë muaji i rinisjes së negociatave për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.E ndryshe nga herët tjera ku SHBA’të ishin vetëm palë bashkëpunuese në dialog, tashmë Sekretari i Shtetit Amerikan, Mike Pompeo, ka caktuar Matthew Palmer si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, i cili pikë kryesore në agjendën e tij do të ketë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, shkruan Gazeta Express.

Një veprim i tillë tashmë nënkupton përfshirje direkte të SHBA-së në procesin e dialogut, shtet ky që sipas disa raportimeve kërkon arritjen e një marrëveshje finale me dy palëve deri në verën e vitit 2020.

Duke parë këtë lëvizje të Shtëpisë së Bardhë, as Gjermania e Angela Merkel, nuk dëshiron që të qëndrojë duarkryq.

Javën e shkuar në Prishtinë kishte qëndruar deputeti i Bundestagut nga radhët e CDU/CSU-së, Peter Beyer, i cili foli për rëndësinë e vazhdimit të dialogut mes dy palëve, ndërkohë duke folur për emërimin e Palmer, Beyer kishte thënë që do të ishte mirë që edhe Bashkimi Evropian të caktonte një përfaqësues special për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Me z.Palmer kemi kontakte të vazhdueshme. Jemi takuar disa herë në Washington, madje një herë rastësisht edhe në Prishtinë. Palmer e njeh rajonin, dhe është vërtetë një lajm i ri që ai është emëruar si përfaqësues special për rajonin. Mirëpo nuk e di çfarë të mira do të na sjellë ky emërim. Por pavarësish kësaj mendoj që edhe Bashkimi Evropian duhet ta emërojë një përfaqësues të veçantë sa i përket dialogut Serbi-Kosovë, i cili me një ekip të veçantë do të kontribuonte në mënyrë të sinqertë dhe në aspektin konstruktiv që të vazhdohet dialogu”, ka thënë Beyer në konferencën për media pas takimit me zyrtarë të lartë të LDK’së në Prishtinë më 3 shtator.

Lidhur me një propozim të tillë, nga Bashkimi Evropian nuk kanë ndonjë përgjigje konkrete, megjithatë presin që të ketë bashkëpunim të ngushtë ndërmjet BE-së dhe të sapoemëruarit të SHBA’së për dialogun, Matthew Palmer, pasi siç thonë, Ballkani Perëndimor është një interes i përbashkët.

“BE-ja punon shumë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për Ballkanin Perëndimor. Shtetet e Bashkuara e kanë dhënë një kontribut të çmueshëm në punën tonë në Ballkanin Perëndimor dhe sidomos për suksesin e dialogut. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë interes të përbashkët për Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe me mirëqenie, prandaj presim ta vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe me Matt Palmer-in, tashmë përfaqësues special i Shteteve të Bashkuara” , ka thënë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, në një përgjigje për Gazetën Express.

Ndërkohë për mundësinë e caktimit të një përfaqësuesi special të Bashkimit Evropian për dialogun, Kocijançiq rithekson faktin që Mogherini vazhdon të jetë e angazhuar dhe përkushtuar për ndërmjetësim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar si mirëpresin çfarëdo ndihmese nga shtete anëtare të BE-së dhe SHBA’të.

“Siç është kërkuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Përfaqësuesja e Lartë/Zëvendës presidentja, Federica Mogherini, është personalisht e angazhuar dhe plotësisht e përkushtuar në lehtësimin e bisedimeve mes Beogradit e Prishtinës, perspektivën evropiane të Serbisë, Kosovës dhe tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ne sigurisht që e mbështesim secilin angazhim në përkrahje të dialogut të ndërmjetësuar të BE-së nga shtetet anëtare dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe në veçanti nga Shtetet e Bashkuara”, ka përfunduar Maja Kocijançiq për Gazetën Express.

Peter Beyer përveç tjerash gjatë vizitës në Prishtinë javën e kaluar, ka paralajmëruar edhe një vizitë të Matthew Palmer në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë ka ripërsëritur edhe një herë qëndrimin e Gjermanisë kundër idesë së korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve.

Një gjë të tillë ia ka përsëritur edhe kreut të Serbisë, Aleksander Vuçiq, ndërkohë siç kanë shkruar sot mediat serbe, thuhet se Beyer i ka propozuar Vuçiqit edhe idenë e “Modelit të Dy Gjermanive”, si një ide për zgjidhjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.