Komandanti i KFOR-it thotë se Policisë nuk i duhet leja për veri, FSK-së po

Policia e Kosovës mund të shkojë në veri të vendit edhe pa marrë lejen e KFOR-it, por e njëjta nuk vlen edhe për FSK-në.

Kështu ka thënë komandanti i KFOR-it, gjenerali italian, Michele Risi, në një intervistë për “Fonet”, njofton Klan Kosova.

“Niveli i besimit midis KFOR-it me Ministrinë e Brendshme dhe të Drejtësisë në Kosovë, ashtu si edhe me institucionet tjera, na lejon që të dimë paraprakisht se kur duan të ndërmarrin operacione që mund të shkaktojnë incidente etnike apo ndërkombëtare”.

“Çështje tjetër është dërgimi i FSK-së. Ato nuk mund të dërgohen në veri të Kosovës pa miratimin tim”.

Risi tha se operacionet e tilla duhet të miratohen prej autoriteteve politike, në mënyrë që të mos jenë rezultat “vetëm i analizës teknike”, që do të mund të rezultonte me vlerësim të gabuar të pasojave politike.