Komisioni për Integrime miraton rishikimin e buxhetit

Komisioni për Integrim Evropian, sot, në një mbledhje elektronike (virtuale), nën drejtimin e kryetarit Ismet Beqiri, ka shqyrtuar Projektligjin nr. 07/L-014 për plotësim-ndryshimin e Ligjit nr. 07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, me amendamentet e Komisionit funksional, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Pas diskutimeve, komisioni njëzëri përkrahu projektligjin, me amendamentet e propozuara nga komisioni funksional.

Kështu ka njoftuar Drejtoria për Media dhe Marrëdhënie me Publikun e Kuvendit të Kosovës pa dhënë detaje të tjera shtesë.

Kujtojmë se rishikimi i buxhetit dështoi të kalonte në Komisionin për të Drejtat e Komuniteteve për shkak të kuorumit, ndërsa është paraparë të shqyrtohet edhe në Komisionin për Legjislacion.