Kompania koreane investim prej 6.5 milion euro në Fier. Mbi 500 të punësuar që në fazën e parë.

Kompania koreane “Yura Corporation” një ndër kompanitë lider në botë për prodhimin e elementeve elektrike të automjeteve, pas një viti negociatash më në fund do të hyjë në tregun shqiptar.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, do të nënshkruajë një Kontratë Enfiteoze (për përdorim dhe zhvillim të zonës me përparësi zhvillimin), me kompaninë koreano-jugore “Yura Corporation”.
Më herët, në një intervistë për Monitor Përfaqësuesi i saj për Shqipërinë, Lucas Nam pohoi se kompania ka aplikuar për të përfituar nga kontrata 1 euro dhe parashikon të investojë 6.5 milionë euro duke punësuar 516 persona.
Yura Corporation Albania u themelua në maj 2018, si një nga kompanitë europiane të vendosura në këtë sektor nga kompania mëmë. “Ne presim që të hapim një fabrikë në Fier lidhur me prodhimin e pajisjeve kabllore”, ka pohuar ai.
Si avantazh për Shqipërinë ai ka përmendur faktin që vendi aktualisht ka kosto të ulët dhe stabilitet në përmirësim në përgjithësi. Edhe kjo mund të jetë një zgjidhje për zhvillimin e logjistikës dhe një zinxhir ditor furnizimi për biznesin automotiv europian.
Yura Corporation është prodhues i pajisjeve kabllore dhe produkteve të tjera të ngjashme për makinat. Prej të paktën gjysmë shekulli fokusi i aktivitetit është ky, por edhe mbështetja teknologjike dhe ekspertiza në makinat e gjelbra dhe të ardhmen e tyre.
Yura Corporation Albania u themelua në maj 2018, si një nga kompanitë europiane të vendosura në këtë sektor nga kompania mëmë. Kompanisë iu ofrua një terren në Fier, por procedurat u zvarritën, duke bërë që drejtuesit e kompanisë të shikonin edhe mundësinë e tërheqjes. Por, për fat të mirë, tashmë kontrata po nënshkruhet./Monitor/