Komuna dhe Ministria e Mjedisit takohen sot për shkak të ndotjes së ajrit në Prishtinë

0
238

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se sot Ministria e Mjedisit dhe ekipet e komunës do të takohen për të shqyrtuar reduktimet në trafik dhe subvencionimin e transportit publik në kohë të caktuara.

Ahmeti në një postim në rrjetin social Facebook ka kërkuar edhe nga Instituti i Shëndetit Publik që në përputhje me Ligjin të lëshojnë udhëzime për qytetarët se si duhet të veprojnë në raste të vlerave të larta.

“Pas takimit të javës së kaluar, Ministria e Mjedisit dhe ekipet e Komunës do të takohen nesër për të shqyrtuar reduktimet në trafik dhe subvencionimin e transportit publik në kohë të caktuara.

Po ashtu, si kryetar i Komunës së Prishtinës po kërkoj nga Agjencia e Mbrojtjes se Mjedisit publikimin e të dhënave zyrtare për cilësinë e ajrit sipas Ligjeve në fuqi, në mënyrë që edhe politikat të zbatohen në përputhje me të dhënat. Po ashtu do të ishte mirë që Agjencia të mbaj një konferencë vetëdijësuese ku shpjegon se çfarë domethënie kanë vlerat e ndryshme që maten.

Kërkojmë edhe nga Instituti i Shëndetit Publik që në përputhje me Ligjin të lëshojnë udhëzime për qytetarët se si duhet te veprojnë në raste të vlerave të larta.

Krejt në fund, kam kërkuar nga Kryesuesi Agim Kuleta që ta thërret mbledhjen e jashtëzakonshme për të enjten ose të premten sipas ligjit, për t’i diskutuar këto dhe masa të tjera që mund të ndërmarrim. E falënderoj edhe asambleistin Havolli për kërkesën.

Ftoj edhe Kuvendin e Republikës të organizojë seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje”.