Komuna e Obiliqit përzgjedh mësuese kandidaten me fakultet të papërfunduar

0
56

Realizimi jo i mirë i buxhetit, mbulimi i pozitave me marrëveshje të përkohshme, mos planifikimi i duhur i projekteve e mangësitë në procesin e rekrutimit të mësimdhënësve janë vetëm disa nga shkeljet e evidentuara të Komunës së Obiliqit.

Sipas udhëzimit administrativ, procedurat e përzgjedhjes së personelit arsimor në shkollë është shqyrtimi i kërkesave të kandidatëve.

Në konkursin e hapur në SHFMU “Fazli Grajqevci” në këtë komunë kishin aplikuar 15 kandidatë, ku komuna ka përzgjedh 3 prej tyre në listë të ngushtë pa ndonjë dëshmi rreth përzgjedhjes së tyre.

Ndërsa, sipas raportit të ZKA-së, shumë kandidatë me përvojë pune kishin mbetur jashtë kësaj liste, transmeton Indeksonline.

“Sipas zyrtarëve nga Drejtoria e Komunale e Arsimit (DKA), për listën e ngushtë iu kishte dhënë përparësi banorëve të Komunës së Obiliqit, bazuar në Ligjin për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit, edhe pse ky kriter nuk ishte paraqitur në konkurs”, thuhet në këtë raport.

Përveç këtij rasti, nga një konkurs i hapur në një tjetër shkollë në Breznicë ishte përzgjedhur një kandidate edhe pse nuk e kishte të përfunduar fakultetin.

Sipas zyrtarëve nga DKA fillimisht ishte përzgjedh një kandidat i cili i kishte plotësuar kriteret mirëpo nuk ishte paraqitur në punë dhe në mungesë të kandidateve të tjerë kishin vendosur që deri në përfundim të vitit shkollor ta angazhojnë këtë kandidate.

Përveç kësaj, kjo komunë gjatë viti 2018 ka lidhur kontrata për shërbime të veçanta dhe detyra specifike për 35 persona.

Sipas ZKA-së, angazhimi i tyre ishte bërë përmes procedurave të thjeshtëzuara, ku mbulimi i këtyre pozitave me marrëveshje për përkohshme rezulton me performancë dhe monitorim të dobët të stafit.