Komuna e Prishtinës paralajmëron padi ndaj VV-së për shpifje rreth qumështit

0
382

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar padi kundër Vetëvendosjes, si kundërpërgjigje ndaj kallëzimit penal që kjo e fundit e ka bërë ndaj kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, në lidhje me tenderin e vitit 2017 për qumështin.

Këtë gjë e kanë bërë të ditur drejtues të Komunës së Prishtinës, në kohën kur u konfirmua se ky institucion ka anuluar tenderin për furnizim me qumësht për nxënësit e shkollave të kryeqytetit, për vitin 2019, në fillim të këtij viti, me arsyetimin se çmimi i ofertuar ka qenë më i lartë sesa ai që ka mundur të paguajë Komuna, shkruan sot Koha Ditore.

Por anulimi i këtij tenderi ka nxitur reagimin e Vetëvendosjes, e cila i bën thirrje prokurorisë që të hetojë tenderët e Komunës për qumështin, ndërkohë që pak ditë më parë ka deponuar edhe një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, nën dyshimet për keqpërdorime rreth tenderit të vitit 2017 të Komunës për qumështin.

Në njoftimin për anulim të tenderit, Komuna e Prishtinës arsyetohet se oferta ka tejkaluar shumën e ndarë nga ekzekutivi komunal për qumështin.

Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, ka thënë se ky është tender i ri, dhe se nuk është anuluar për shkak të padisë së VV-së.

Zyrtari për media në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë për “Kohën Ditore” të enjten se akuzat e VV-së për keqpërdorim në tenderin paraprak nuk janë asgjë tjetër përveç shpifje dhe tendencë për manipulim të opinionit publik, dhe se për këtë tashti edhe Komuna është duke përgatitur padi kundër VV-së.