Komuna e Skenderajit organizon dy muaj festë për mërgimtarët

Edhe Komuna e Skenderajit është vënë në pritje të mërgimtarëve që vijnë anembanë botës në atdhe, përcjell albinfo.ch. Përgjatë dy muajve me aktivitete, nuk do të mungojë as Sofra e Drenicës, kushtuar mërgmtarëve.

Kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari, ka thënë se tashmë Skenderaj është gati për të filluar organizimin më të madh që është mbajtur ndonjëherë në këtë qytet.

Ai ka bërë të ditur se do të ketë një varg aktivitetesh kulturore, argëtuese, panaire të veshjes tradicionale, muzikë dhe aktivitete të tjera të llojllojshme.

“Për të ruajtur traditën e zemërgjerësisë së drenicasve, vazhdon edhe sivjet Sofra e Drenicës, me këngë e valle, humor e poezi, rreth së cilës presim me dashamirësi bashkatdhetarët tanë. Nga e hëna përgjatë dy muajve në vazhdim, sheshi ynë “Adem Jashari” do të gjallërojë nga aktivitetet e organizuara, në nderim dhe mirësëardhjeje për motrat dhe vëllezërit tanë nga diaspora. Me dorë në zemër, mirëardhshi”, ka shkruar Jashari në Facebook, përcjell albinfo.ch.