Komuna e Vushtrrisë do të hetoj lejet e ndërtimit të lëshuara në dy vitet e fundit

Të gjitha lejet e ndërtimit, të cilat janë lëshuar në dy vjetët e fundit, do të hetohen nga Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Vushtrrisë.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë ka nxjerrë një urdhëresë, me anë të së cilës ka kërkuar nga Drejtoria e Urbanizmit që t’i hetojë të gjitha lejet e ndërtimit që janë lëshuar gjatë viteve 2016 dhe 2017, me theks të veçantë lejet e ndërtimit që janë lëshuar gjatë fushatës zgjedhore të dy palë zgjedhjeve, ato nacionale dhe ato të për pushtetit lokal, që janë mbajtur në qershor, respektivisht në tetor të vitit 2017.

Ai ka thënë se ideja e tij nuk është që të dëmtohen kompanitë ndërtimore dhe se nuk është qëllimi që objektet të cilat janë ndërtuar të rrënohen, por ka siguruar se nëse konstatohen shkelje ligjore kur janë lëshuar lejet e ndërtimit, si dhe shkelje të procedurave, atëherë do të ndërmerren masa, shkruan Zëri.

Tahiri ka deklaruar se shumë ndërtesa të larta dyshohet se janë ndërtuar ilegalisht. Sidomos ka dyshime që shumë leje ndërtimi u janë lëshuar kompanive ndërtimore pak para fushatës, por edhe gjatë fushatës zgjedhore të dy palë zgjedhjeve që janë mbajtur në vitin 2017, zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhjet për pushtetin lokal.

E verifikimin e lejeve të lëshuara në dy vjetët e fundit do ta bëjë Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Vushtrrisë.

“Verifikimi i lejeve të ndërtimit për mënyrën se si janë lëshuar ato, se a janë në pajtueshmëri me ligjet dhe me interesin e qytetarëve është i domosdoshëm. Edhe më përpara, por edhe tani ka shumë ankesa të qytetarëve. Ata nuk janë pajtuar me ndërtimet në mjedisin ku jetojnë, kanë protestuar dhe janë ankuar, por ankesat e tyre nuk janë marrë parasysh. Sidoqoftë, Komuna do t’i hetojë lejet që janë lëshuar dhe do të konstatojë gjendjen në terren për mënyrën se si  janë zbatuar projektet ndërtimore për të cilat kanë lëshuar lejet e ndërtimit. Urbanizmi do t’i shikojë lejet e ndërtimit, do t’i shikojë a u janë përmbajtur ndërtuesit saktësisht procedurave ligjore”, ka thënë kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, raporton Zëri.

Ai ka shtuar se qëllimi është që të bëhet një prerje dhe të shikohet gjendja e tanishme dhe me pas të merren hapa për të shkuar përpara.