Komunat veriore të Kosovës i kthejnë masat e kufizimit

Shtabet e krizës në komunat e Mitrovicës veriore, Zveçanit dhe Zubin Potokut kanë kthyer disa masa në luftë ndaj përhapjes së COVID-19.

Me masat e reja, janë ndaluar tubimet në hapësira të jashtme dhe të brendshme si dhe është kufizuar puna e objekteve hoteliere deri në ora 23:00, raporton “Radiokontaktplus.org”, transmeton lajmi.net.

Këto masa vlejnë edhe për komunën e Leposaviqit.

Në katër komunat në veri të vendit, kryesisht të banuara nga serbët, është ndaluar mbajtja e aktiviteteve sportive, koncerteve e festave, ndërsa është kufizuar puna e klubeve të natës.

Objektet hoteliere do të punojnë vetëm deri në ora 23:00.

Objektet e hotelerisë mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre vetëm në rast se distanca mes tavolinave është 1.5 metra dhe në tavolinë duhet të ulen më së tepërmi katër persona.

Përjashtim bëjnë rastet nëse bëhet fjalë për anëtarë të një familjeje. Ato duhet të kenë mjetet dezinfektuese kurse puntorët janë të obliguar të mbajnë maska dhe dorëza.