Konjufca: Haradinaj na ftoi në koalicion me PDK-në, donte bashkim të komandantëve për Gjykatën Speciale

0
244
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se njëra nga arsyet pse është prishur VAN-i ishte koalicioni me PDK-në.
Konjufca, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se Ramushi ka ngulmuar në koalicionin me PDK-në, pasi ka dashur të bashkoj komandantët në raport me Gjykatën Speciale.
“Kur jemi takuar me Ramush Haradinajn, kur është prishur VAN-i njëra ndër arsyeja kryesore ka qenë PDK-ja. Kam qenë në atë takim bashku me Limajn, Albinin, prej AAK-së, Ramushi dhe Ahmeti nëse s’gaboj. Kur kemi ardhur te pika me kënd me vazhdu përpara Ramushi ka ngulmua në PDK-në. Kur e kam pyetur pse Ramush kështu, ai, më vjen keq por e ka përmendur Gjykatën Speciale”.
Sipas Konjufcës në atë takim Ramush Haradinaj u ka dhënë mesazhin se ai do të shkojë patjetër në koalicion me PDK-në, ndërsa Vetëvendosje mund të shkonte me ta ose jo.
“Sikur na tha neve [Haradinaj], ju ose ejani me ne ose jo, por të gjithë komandantët bashkë dhe koalicioni me PDK-në është i pashmangshëm.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje thotë se për momentin Kryeministri po bën një përpjekje shumë të madhe për të mbajt këtë koalicion në pushtet.
“Pozicionimin e LDK-së është vështirë të thyej PDK-ja. LDK-ja e ka kuptuar situatën politike racionalisht”, tha ndër të tjera Glauk Konjufca.