Konjufca kërkon që Hoti t’i drejtohet Speciales: Mos rri vetëm si shikues

Kryeministri Avdullah Hoti nuk po thotë shumë fjalë në lidhje me ngjarjet e fundit në lidhje me Gjykatën Speciale, madje ai mbrojti aksionin e EULEX’it në zyrat e OVL-UÇK’së ku arrestuan Hysni Gucatin dhe më pas edhe Nasim Haradinajn.

Qëndrimi si “spektator” në gjithë këtë ngjarje të kryeministrit Hoti e ka vërejtur edhe partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.

Anëtari i Kryesisë së LVV’së, Glauk Konjufca ka thënë se kryeministri Hoti duhet t’i drejtohet kësaj gjykate dhe ta problematizojë mandatin e saj.

Konjufca ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të interesohet në lidhje me mandatin e Speciales dhe mos të jetë vetëm shikues.

“Gjykata Speciale nuk shpërbëhet. Mandati mund t’i ketë skaduar, por kjo nuk po ndal punën e saj. Kryeministri duhet t’i drejtohet Speciales dhe të problematizojë mandatin e saj. Nëse ka bazament në ligj për vazhdimin e mandatit, kjo është një çështje për të cilën qeveria të interesohet dhe të mos jetë vetëm shikuese”, u shpreh Konjufca në RTV Dukagjini.

Lini një Përgjigje