Konjufca për Serbinë: Si mund të bëhet pjesë e BE-së duke mohuar Masakrën e Reçakut ?

0
227

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në nderim të viktimave të Masakrës së Reçakut.

Pas homazheve ai tha se Masakra e Reçakut ngriti në këmbë vendet demokratike për t’i dalë në krah Kosovës.

“Jemi këtu për të nderuar martirët e Reçakut Masakra e Reçakut e ngriti botën demokratike në këmbë. Pas Masakrës së Reçakut nuk kishte më dyshime se cili ishte popull çlirimtar dhe liridashës, e cili shteti gjenocidal. Mirëpo ata që e kryen Masakrën e Reçakut por edhe masakrat e tjera në Kosovë, ende nuk kanë dalë para drejtësisë-tha Konjufca.

Kreu i Kuvendit shtoi se nuk do të pushohet kurrë së kërkuari drejtësi, për viktimat që u vranë nga forcat ushtarake e paramilitare serbe.

“Në kurrë do të pushojmë, ne kurrë nuk do të lodhemi duke kërkuar me ngulm që të gjithë kriminelët që janë prej Serbisë, dhe kanë qenë pjesë e forcave ushtarake e paramilitare, të rregullta e të parregullta, që të vihen para drejtësisë dhe Serbia të japë llogari “- shtoi Konjufca.

Ai shtoi se Serbia në mënyrë monstruoze e ka mohuar Masakrën e Reçakut, madje kështu duke pretenduar të bëhet vend i Bashkimit Evropian.

“Ajo çka nuk është shpresëdhënëse në raport me Serbinë. Ata jo vetëm që nuk po kërkojnë falje dhe nuk kanë pendesë, por ishte vet presidenti Aleksandër Vuçiq, i cili në mënyrë monstruoze e mohoi këtë masakër. Si mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian një shtet i cili mohon diçka që nuk mohohet, Masakrën e Reçakut, martirët e Reçakut dhe të gjithë të rënëve në Kosovë “- shtoi Konjufca.

“Ne themi lavdi martirëvë të Reçakut, lavdi të gjithë të rënëve në Kosovë”- tha në fund Konjufca.