Koreja e Jugut dhe Veriut shkëmbejnë zjarr në kufi

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut kanë shkëmbyer zjarr në Zonën e Demilitarizuar që ndan të dy vendet. Plumba të lëshuar nga Koreja e Veriut në 07:41 goditën një postë kufitare të Koresë së Jugut në qytetin kufitar qendror të Cheorwon, njoftoi ushtria koreano-jugore. Nuk ka raporte për viktima nga ana e saj. Si përgjigje, Koreja e Jugut gjuajti “dy raunde me armë zjarri dhe një njoftim paralajmërues sipas manualit”, thuhet në deklaratën ushtarake. Nuk është e qartë se çfarë I provokoi të shtënat e para.

Krerët e shtabit të përgjithshëm në Seul thanë se po përpiqeshin të kontaktonin Korenë e Veriut përmes linjës së tyre ushtarake të komunikimit për të përcaktuar shkakun e incidentit. Kjo është hera e parë në pesë vjet që trupat e Koresë së Veriut qëllojnë drejtpërdrejt mbi Jugun.

Zona e cmilitarizuar (DMZ) u krijua pas Luftës Koreane në vitin 1953 në mënyrë që të krijonte një rajon “tampon” mes dy vendeve. Përgjatë dy viteve të fundit, qeveria në Seul është përpjekur të kthejë kufirin e fortifikuar në një zonë paqeje.

Lehtësimi i tensioneve ushtarake në kufi ishte një nga marrëveshjet e arritura ndërmjet liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un dhe Presidentit të Koresë së Jugut Moon Jae-in në samitin e Pioniangut shtatorin e vitit 2018. Ky shkëmbim zjarri vjen një ditë pasi Kim Jong-un u shfaq në publik, në vazhdën e një mungese të pashpjegueshme gati tre-javore që ngjalli spekulime të mëdha globale për shëndetin e tij.