Koronavirusi: Dhjetë aryse pse nuk duhet të përjetoni panik

0
466

Shkruan Ignacio López-Goñi, Profesor i Mikrobiologjisë në Universitetin e Navarra-s (Spanjë).

Pavarësisht nëse e klasifikojmë koronavirusin e ri si një pandemi, ai është çështje serioze. Në më pak se dy muaj, është përhapur në disa kontinente. Pandemi do të thotë transmetim i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm i sëmundjes, njëkohësisht në më shumë se tre rajone të ndryshme gjeografike. Pandemia nuk i referohet vdekshmërisë së një virusi, por transmetueshmërisë së tij dhe shtrirjes gjeografike, shkruan në tekstin e botuar në THECONVERSATION.COM

Ajo që kemi me siguri është pandemi e frikës. E gjithë media e planetit është kapluar nga koronavirusi. Me të drejtë ekziston shqetësim i thellë dhe planifikim masiv për skenarët e rasteve më të këqinj. Natyrishëm, pasojat kalojnë nga sfera globale e shëndetit në biznes dhe në politikë.

Por është gjithashtu e drejtë që nuk duhet të përhapim panik. Do të ishte e gabuar të thuash se ka një lajm të mirë që del nga COVID-19, por ka shkaqe për optimizëm; arsye për të menduar se mund të ketë mënyra për ta përmbajtur e mposhtur virusin dhe për të nxjerrë mësime për të ardhmen.

1. NE E DIMË SE ÇFARË ËSHTË
Rastet e para të SIDA-s u shfaqën në qershor 1981 dhe u deshën më shumë se dy vite për të identifikuar virusin HIV që shkakton sëmundjen. Me COVID-19, rastet e para të pneumonisë së rëndë u raportuan në Kinë në 31 dhjetor 2019 dhe deri më 7 janar virusi ishte identifikuar. Gjenomi ishte në dispozicion në ditën e 10-të.

Tashmë e dimë se është një koronavirus i ri nga grupi 2B, me të njëjtën familje si SARS, të cilin e kemi quajtur SARSCoV2. Sëmundja quhet COVID-19. Mendohet se ka të bëjë me koronavirusin nga lakuriqët. Analizat gjenetike kanë konfirmuar se ai ka origjinë natyrore të kohëve të fundit (midis fundit të nëntorit dhe fillimit të dhjetorit) e megjithëse viruset jetojnë me mutacion, shkalla e mutacionit të tij mund të mos jetë shumë e lartë.

2. NE E DIMË SE SI TA ZBULOJMË VIRUSIN
Që nga 13 janari, ka qenë në dispozicion TESTI PËR TË ZBULUAR VIRUSIN.

3. SITUATA PO PËRMIRËSOHET NË KINË
Masat e forta të kontrollit dhe izolimit të vendosura nga Kina po japin rezultat. Prej disa javësh, numri i rasteve të diagnostikuara çdo ditë po zvogëlohet. Po kryhet një ndjekje shumë e detajuar epidemiologjike Në vende të tjera po ndiqet në vazhdimësi situata epidemiologjike; shpërthimet janë mjaft specifike për zonat, të cilat mund të lejojnë që të kontrollohen më lehtë.

4. 80% E RASTEVE JANË TË BUTA
Sëmundja nuk shkakton simptoma ose është e butë deri në 81% të rasteve. Sigurisht në 14% mund të shkaktojë pneumoni të rëndë dhe në 5% mund të bëhet serioze apo edhe fatale. Ende është e paqartë se cila mund të jetë shkalla e vdekjes. Por mund të jetë më e ulët se deri më tani.

5. NJERËZIT SHËROHEN
Pjesa më e madhe e të dhënave të raportuara kanë të bëjnë me rritjen e numrit të rasteve të konfirmuara dhe numrin e vdekjeve, por shumica e personave të infektuar shërohen. Ka 13 herë më shumë raste të kuruara sesa vdekjet, dhe KJO PËRQINDJE PO RRITET.

6. SIMPTOMAT SHFAQEN TË BUTA TE FËMIJËT
Vetëm 3% e rasteve ndodhin te njerëzit nën 20 vjeç, dhe VDEKSHMËRIA NËN 40 ËSHTË VETËM 0.2%. Simptomat janë aq të buta te fëmijët sa që mund të kalojnë pa u vënë re.

7. VIRUSI MUND TË FSHIHET NGA PASTËRTIA
Virusi mund të deaktivizohet në mënyrë të suksesshme nga sipërfaqet me një përbërje e etanolit (62-71% alkool), peroksid hidrogjeni (0,5% peroksid hidrogjeni) ose hipoklorit natriumi (0,1% zbardhues), NË NJË MINUTË. Larja e shpeshtë e duarve me sapun dhe ujë është mënyra më e mirë për të shmangur ngjitjen e virusit.

8. SHKENCA ËSHTË PËRQENDRUAR NË TË GLOBALISHT
Është epoka e bashkëpunimit shkencor ndërkombëtar. Pak më shumë se përtej një muaji janë botuar 164 artikuj dhe mund të lexohen në PubMed në COVID19 ose SARSCov2, si edhe shumë të tjerë, por që ende nuk janë shqyrtuar. Ato janë punime paraprake për vaksinat, trajtimet epidemiologjike, gjenetikën dhe filogjeninë, diagnozën, aspektet klinike etj.

Këta artikuj janë shkruaj nga rreth 700 autorë, të shpërndarë në të gjithë planetin. Kjo është shkenca bashkëpunuese, e përbashkët dhe e hapur. Në vitin 2003 me epideminë SARS, u desh më shumë së një vit për të arritur më pak gjysmën e këtij numri artikujsh. Për më tepër shumica e revistave shkencore, botimet e tyre i kanë vënë në dispozicion për cilindo, qasje të hapur, temën e koronaviruseve.

9. TASHMË KA PROTOTIPE TË VAKSINAVE
Aftësia jonë për të hartuar vaksina të reja është spektakolare. Tashmë janë më shumë se tetë projekte në zhvillim DUKE KËRKUAR NJË VAKSINË kundër koronavirusit të ri. Ka grupe që punojnë në projekte vaksinimi kundër viruseve të ngjashme.

Grupi i vaksinave të Universitetit të Queensland, në Australi, KA NJOFTUAR se tashmë është duke punuar në një prototip duke përdorur teknikën e quajtur “kapës molekular”, teknologji e re. Ky është vetëm një shembull që mund të lejojë prodhimin e vaksinave në kohë rekord. Prototipet së shpejti mund të testohen te njerëzit.

10. JANË DUKE U ZHVILLUAR PROVA ANTIVIRALE
Vaksinat janë parandaluese. Tani për tani, trajtimi i njerëzve që janë sëmurë është i rëndësishëm. Tashmë ka më shumë se 80 prova klinike që ANALIZOJNË TRAJTIMET E KORONAVIRUSIT. Këto janë antivirale që janë përdorur për infeksione të tjera, të cilat tashmë janë aprovuar dhe që e dimë se janë të sigurta.

Një nga ata që është testuar tashmë te njerëzit është remdesivir, një antiviral me spektër të gjerë ende nën studim, i cili është testuar kundër Ebola dhe SARS / MERS.

Një tjetër kandidat është klorokuina, një antimalarial që gjithashtu është parë të ketë një aktivitet të fuqishëm antiviral. Dihet që klorokuina bllokon infeksionin viral duke rritur pH e endozomit, i cili është i nevojshëm për shkrirjen e virusit me qelizën, duke penguar kështu hyrjen e tij. Është demonstruar se kjo përbërje BLLOKON KORONAVIRUSIN E RI IN VITRO dhe tashmë po përdoret në pacientët me pneumoni të koronavirusit.

Testimet e tjera të propozuara bazohen në përdorimin e oseltamivir (i cili përdoret kundër virusit të gripit), interferon-1b (proteinë me funksion antiviral), antisera nga personat që u rikuperuan ose antitrupa monoklonal për të neutralizuar virusin. Terapitë e reja janë propozuar me substanca frenuese, të tilla si barictinibine, të zgjedhura nga INTELIGJENCA ARTIFICIALE.

Pandemia e gripit të vitit 1918 shkaktoi më shumë se 25 milion vdekje në më pak se 25 javë. A mund të ndodhë diçka e ngjashme tani? Me siguri jo; ne kurrë nuk kemi qenë më të përgatitur për të luftuar një pandemi.