Kosova dhe Serbia të mërkurën do të kenë takimin e radhës

Bashkimi Evropian ka ftuar në takim në Bruksel të mërkurën Kosovën dhe Serbinë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media tha se vazhdim i bisedimeve do të jetë për gjetjen e zgjidhjes së përkohshme në lidhje me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin.

Peter Stano shtoi se BE pret që palët të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis.

“Hapi tjetër i menjëhershëm është të kemi një takim tjetër. Përfaqësuesi Special i SHBA-së për dialogun Beograd-Prishtinë ka ftuar kryenegociatorët nga të dyja palët që të vazhdojnë diskutimet. Ata do të takohen të mërkurën këtu në Bruksel dhe do të vazhdojnë diskutimet për gjetjen e zgjidhjes së përkohshme të qëndrueshme për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme dhe në pritje të këtij takimi të mërkurën Bashkimi Evropian pret që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për të arritur një kompromis”, tha Peter Stano.

Stano shpreson që palët të sillen në frymën evropiane dhe të arrijnë kompromis.

“Pas secilit takim në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë shpresojmë të jetë takim përfundimtar që merret me atë çështje të caktuar, sepse këto çështje po e zhvendosin vëmendjen nga ajo që është realisht e nevojshme. Dhe ajo që realisht nevojitet është progresi në zbatimin e të ashtuquajturës marrëveshje e Ohrit me anekset e saj zbatuese. Pra, ne shpresojmë se palët do të jenë në gjendje të arrijnë të sillen në frymën evropiane dhe të arrijnë kompromisin e nevojshëm, por përsëri, si në çdo gjë në dialog, nuk varet vërtet nga ajo që ne dëshirojmë, varet nga gatishmëria dhe aftësia e të dy palëve për të arritur një kompromis të pranueshëm”, shtoi Peter Stano.

Zëdhënësi i BE-së tha se si lehtësues po mundohen të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme të përkoshme për njerëzit e prekur nga vendimi i BQK-së.

“Për atë që Kosova dhe Serbia kanë bërë, ndoshta më së miri është t’iu drejtohet atyre sepse janë në gjendje më të mirë të flasin në emër të vetin. Mund të them në emër të Bashkimit Evropian, si lehtësues, se ne jemi këtu, po mundohemi të gjejmë një rrugëdalje për një zgjidhje të qëndrueshme të përkohshme për njerëzit e prekur nga ky vendim i Bankës Qendrore të Kosovës dhe ne presim sinqerisht të dyja palët të vijnë në Bruksel për këtë takim të shtatë të diskutimit të çështjes dhe të jenë të gatshëm për të gjetur një zgjidhje, e cila është e pranueshme për të dyja dhe që para së gjithash t’u përgjigjet nevojave të njerëzve që janë të prekur në terren”, theksoi ai.

Stano ka shtuar se gjetja e një zgjidhje i bërë mirë njerëzve që preken nga ky vendim.

“Bashkimi Evropian vazhdon të ofrojë shërbimet e tij, vazhdon t’i ndihmojë ata se si të fillojnë të sillen në mënyrë evropiane dhe si të arrijnë një kompromis që është shumë i nevojshëm sepse prek njerëzit në terren. Ka njerëz që preken me çështje dhe ka një çështje më të gjerë që duke i kushtuar energji për ta zgjidhur këtë në 5, 6, 7 ose 8 takime, ne nuk jemi në gjendje të merremi me çështje të tjera që janë edhe më urgjente dhe kjo është zbatimi i marrëveshjes së dialogut. Pra, nuk na takon ne të japim një koment të vazhdueshëm për çdo lëvizje apo vërejtje të vetme në këto negociata. Ne vetëm u bëjmë thirrje të dyja palëve që të tregojnë vullnetin e nevojshëm për t’u sjellë në mënyrë evropiane dhe më në fund të mund të bien dakord për një zgjidhje kompromisi sepse në fund do të jetë në të mirë të njerëzve që preken nga ky vendim”, shtoi Peter Stano.

Lini një Përgjigje