Kosova dhe Shqipëria me marrëveshje për tregjet e energjisë elektrike

0
58

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), Enti Rregullator i Energjisë së Shqipërisë (ERE), dhe operatorët e sistemeve të transmetimit të Shqipërisë dhe Kosovës (OST dhe KOSTT) të mbështetur nga USAID kanë nënshkruar marrëveshjen kornizë të bashkëpunimit të tregjeve të energjisë elektrike.

Sipas ZRRE-së, kjo marrëveshje përcakton të drejtat, detyrimet dhe hapat e nevojshëm që palët nënshkruese duhet të ndërmarrin për të bashkëpunuar në lidhje me organizimin e tregjeve të bashkuara të energjisë elektrike të një ditë më herët dhe brenda ditës, për sa i përket roleve dhe përgjegjësive në lidhje me operimet, administrimin dhe vendimmarrjen, përmes organizimit të kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit në kufijtë e tyre të përbashkët një ditë më herët dhe brenda ditës.

“Bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike do të kontribuojë në zgjerimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe rritjen e konkurrencës në tregjet e energjisë elektrike si dhe në ruajtjen dhe zgjerimin e një tregu me çmime të drejta”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se ky bashkëpunim do të përforcojë shfrytëzimin më efikas të interkoneksioneve të përbashkëta ndërkufitare përmes metodave objektive, të bazuara në treg jo-diskriminuese dhe transparente.

Gjithashtu, përmes këtij bashkëpunimi do të ofrohet hyrja korrekte dhe jo-diskriminuese në tregun e ditës në avancë dhe brenda ditës duke nxitur efiçencë të përfitimeve në të dy tregjet e energjisë elektrike.

“Ky bashkëpunim, si i pari në rajon në një treg të përbashkët, do të shërbejë si nxitje për zgjerimin e bashkimit të më shumë tregjeve në rajon e me gjerë”, thuhet në njoftim.