Kosova e mposht thellë Britaninë në Evropianin U18 në hendboll

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll ka shënuar fitore të thellë sot në kampionatin Evropian U18, Divizioni B, që po mbahet në Tulln të Austrisë.
FHK-ja përmes faqes zyrtare konfirmon se Kosova fitoi ndaj Britanisë së Madhe me rezultatin 31:23. Ndeshja ishte e vlefshme për plasman përfundimtar në evropian, përkatësisht për renditje prej pozitës nëntë deri në pozitën e 12-të.
Kosova ishte më e mirë se Britania e Madhe në të gjitha elementet e lojës dhe kështu arriti te fitorja e lartë.
“Në kuadër të Grupit B, Kosova i ka humbur të gjitha pesë ndeshjet, duke përfunduar e gjashta. Por në disa prej ndeshjeve ka pasur elemente pozitive që japin shpresë për këtë gjeneratë që është në konsolidim e sipër. Fitorja e së shtunës është e mirëseardhur për djelmoshat tanë para sfidave që i presin në vazhdim të vitit”, thuhet në faqen e FHK-së.
Kosova e ka edhe një ndeshje në Evropian. Do të luajë ndaj Bullgarisë për plasman në pozitën e nëntë apo të dhjetë. Bullgaria ka shkaktuar befasi duke mposhtur Kosovën në ndeshjen e fundit në grup dhe të dielën (nesër) paradite, Kosova ka rastin për revansh.
“Ka optimizëm të madh se kjo mund të ndodhë. Nëse eventualisht përfundon në vendin e nëntë kombëtarja jonë, ky do të ishte një rezultat megjithatë solid i gjeneratës që për herë të parë po shijon skenën ndërkombëtare”.
Ndaj Britanisë së Madhe shkëputja u bë herët dhe pjesa e parë përfundoi me rezultatin 17:8. Më efikasi ishte Adonit Isufi me 10 gola.

Lini një Përgjigje