Kosova e Shqipëria po organizojnë Kupë zyrtare të përbashkët në futboll

Në studion e emisionit “Favorit” në T7, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, bëri të ditur se FFK-ja është duke bashkëpunuar me Federatën Shqiptare të Futbollit për ta themeluar një Kupë të përbashkët për klubet nga Kosova e Shqipëria.

Tre vjet pas anëtarësimit në UEFA, Kosova është e gatshme ta shtojë edhe një garë tjetër në kuadër të garave të saj. Megjithatë, kjo do të jetë më ndryshe, pasi që në këtë kupë do të luajnë klubet kosovare kundër atyre nga Shqipëria, shkruan Gazeta Express.

Sekretari i FFK-së bëri të ditur se bisedimet mes kryetarit të FSHF-së, Armand Dukës, dhe kryetarit të FFK-së, Agim Ademit, për një kupë të tillë janë të avancuara.

“Ne kemi biseduar me Federatën Shqiptare të Futbollit, me Zotëri Dukën, me presidentin Ademi. Besoj se vitin e ardhshëm do të fusim risi, nëse ndodh kjo që ekipet e Superkupës të lujnë ndërmjet vete me Federatën Shqiptare”, zbuloi Salihu në “Favorit”.

“Madje jeni duke e shqyrtuar mundësinë që të luajmë me një sistem të Kupës së përbashkët në Federatën Shqiptare të Futbollit. Prandaj, mendoj se ka ardhur koha që të bëjmë diçka në bashkimin e futbollit shqiptar”.

“Do të kemi sponsorë të ndryshëm, do të hynin edhe qeveritë së bashku. E kemi diskutuar, do të ketë benefit material. Bylbyli nganjëherë është ekstrem në këtë drejtim, por me të drejtë se qëllimet i ka të mira. Por, duhet ta kuptojmë që ne jemi një popull dhe dy kombëtaret

Salihu iu referua Sokolit në deklaratën e tij të fundit, pasi që trajneri i futbollit argumentoi se një ide e tillë mund të dështojë nëse niveli i futbollit nuk do të jetë në cilësinë e duhur, siç ndodh me Kupën e Pavarësisë.

Kupa e Pavarësisë është një turne i përvitshëm futbollistik i cili mbahet në Shqipëri. Ky turne organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata e Futbollit e Kosovës si përkujtim për Ditën e Flamurit. Për herë të parë është mbajtur në vitin 2009.

Sokoli i dha disa këshilla se si mund të evitohet cilësia e dobët e futbollit në një garë të tillë, duke përmendur shpërblimet – jo vetëm financiare, por edhe me kualifikim në Evropë – për fituesin e garës.

“Është një kupë kombëtare që quhet, që luhet në Ditën e Flamurit dhe unë po mendoj se ajo Kupë e ka degradu simbolikën e zhvillimit të ndeshjeve sepse ekipet shkojnë me ekipe të dyta dhe kjo nuk është në rregull. Duhet të mendohet në këtë drejtim”, tha Sokoli.

“Duhet të gjenden disa forma… të shtohet fondi për fituesin. Por, po mendoj se këto ndeshje, këto gara të kupës në një sistem të unifikim të futbollit shqiptar duhet të kalojnë përmes asociacioneve ndërkombëtare në qoftë se këta dëshirojnë ta kenë garën valide”.

“Nëse dy Federatat merren vesh me UEFA-n që fituesi i kësaj kupe ta sigurojë një vend në garat e UEFA-s do t’i jepte kredibilitet kësaj lloj gareje. Përndryshe garat në këtë formë, vetëm sa për të zhvilluar ndeshje mes një përfaqësuesi të Shqipërisë dhe një përfaqëusesi të Kosovës e humb efektin”.