Kosova ka nevojë për politikanë që i do gjithë populli, e jo vetëm një parti

0
89

Shkruan: Mehmet Prishtina

Partitë politike janë si mbetjet inerte që vijnë në breg të lumit dhe shkojnë varësisht nga intensiteti i reshjeve, ndërkaq politikanët gjithpopullor dhe idetë e tyre sublime janë si lumenjtë që nuk shterojnë kurrë dhe që rrjedhin vazhdimisht drejt hapësirave më të gjëra akumuluese. Le ta bëjmë edhe Kosovën një lum të madh idesh, me të cilin politikanët do të ‘ujisnin’ të tashmen dhe të ardhmen me vizionin e unitetit dhe dinamikën e pandalshme zhvillimore

Fushata zgjedhore në Kosovë zyrtarisht filloi më 25 shtator dhe pritet të garojnë 25 subjekte politike/koalicione parazgjedhore. Parimisht, zgjedhjet për një vend demokratik paraqesin linjën që ndan bilancet e të arriturave politike, ekonomike, sociale, kulturore brenda një mandati qeverisës. K]jo është edhe beteja më legjitime politike e gjithë atyre që pretendojnë, ose të vinë në pushtet rishtazi, ose të vazhdojnë mandatin qeverisës. Konfirmimi përmes votës së lirë i kësaj beteje, është menduar të jetë formula më e kapshme demokratike, e njohur dhe praktikuar me shekuj në shtetet euro-atlantike, ku gjithsecili është i barabartë të shpalosë opsionet dhe idetë mbi të ardhmen e asaj që ata e quajnë vizion politik.

Kosova ka traditë të pakt demokratike, por ajo është jashtëzakonisht e pasur me histori sakrificash dhe me përpjekje të pareshtura për liri e pavarësi. Jo rastësisht Kosova në të kaluarën ka mbajtur edhe epitetin ‘Djepi i shqiptarizmës’, sepse prej aty fillonin të piqeshin idetë e mëdha kombëtare, për t’u shtri pastaj në gjithë hapësirën shqiptare.

Tani po bëhen 20 vjet që kur Kosova, me ndihmën e miqve amerikanë dhe evropian, gëzon lirinë e fituar me shumë peripeci e flijime dhe ky rrugëtim njëzetvjeçar shënon një stad të pjekurisë sonë politike, si shoqëri dhe si komb. Në teoritë moderne mbi shtetin nuk ekziston asnjë formulë magjike që prejudikon rrugët e zhvillimit, për arsye se elitat politike që dalin pas zgjedhjeve janë ato që mbajnë barrën e përgjegjësisë që të konstruktojnë ‘fortësinë’ e arkitekturës shtetërore. Në radhë të parë kjo nuk mund të arrihet pa një konsensus të përgjithshëm nacional për tema e problem madhore dhe pa një disiplinë institucionale në marrjen e obligimeve dhe në rrumbullakimin e tyre, konform interesave jetike të popullatës.

A e pati Kosova konsensusin nacional dhe disiplinën institucionale në këtë rrugëtim 20 vjeçar? Po ti pyesni optimistët entuziast, ata rritën dhe zhvillimin e shtetit e masin me ngritjen dhe zgjerimin e partisë së tyre. Prandaj ky ka mundur të jetë edhe shkaku pse në disa segmente shtetërore në Kosovë ka dominuar fryma partiake e vendimmarrjes, ose partizimi i shtetit ka ndodhur pa përfillur kriterin e meritokracisë profesionale. Kushtëzimi i njerëzve me anëtarësim në parti, i ka bërë ata luajal ndaj doktrinës shtetërore, por më tepër të dëgjueshëm ndaj politikave të ngushta partiake, që nuk kanë reflektuar unitetin e interesave të përgjithshme kombëtare.

Mos angazhimi i profesionistëve të fushave të ndryshme me arsyetimin se ata nuk kanë qenë në luftë, ose nuk janë anëtarë të partisë në pushtet, ka dëmtuar rëndë, jo vetëm qëndrueshmërinë e zhvillimit ekonomik e institucional, por ka rrënuar edhe imazhin te miqtë tanë ndërkombëtar. Filozofia e përshtatshmërisë politike u shpërnda si kapilarë në gjithë mekanizmin e vendimmarrjes shtetërore dhe për pasojë ky fenomen negativ prodhoi gjendje të mjerueshme në ekonomi, shëndetësi, arsim, bujqësi dhe në disa fusha të tjera vitale.

Jo pak raporte janë bërë nga institucionet relevante ndërkombëtare që janë marrë me Kosovën dhe në shumicën e atyre raporteve ka rezultuar një konkludim pak a shumë identik: në tre sisteme vitale – në drejtësi, arsim dhe shëndetësi është lënduar kontinuiteti i zhvillimit normal për shkak të ndërhyrjeve arbitrare politike në favor të partive që kanë udhëhequr Kosovën në periudha të caktuara kohore.

Tani kur ndodhemi në prag të një procesi mjaft të rëndësishëm zgjedhor, akterët politikë i japin shumë rëndësi matematikave paszgjedhore, duke kalkuluar, secili për hesap të vetin, strategji aleancash bashkëqeverisëse në mandatin vijues. Por në gjithë këto kalkulime harrohet një segment mjaft i rëndësishëm që është ngushtësisht i lidhur me të ardhmen e vendit.

Zgjedhjet, fundja, le të prodhojnë çfarëdo lloj koalicioni, por ajo që është më e rëndësishme se kjo është krijimi i kulturës politike që do të bënte diferencimin në mes të politikanit popullor dhe profesionistit të fushës së caktuar. Kosova ka nevojë për politikanë, që do të rrethoheshin nga ekspert kompetent e jo militant partiak, sepse të tillët do të gëzonin më shumë admirim në popull. Përfundimisht, Kosova ka nevojë për politikanë që i do gjithë populli e jo vetëm një parti politike.

Nëse i referohemi historisë sonë politike të para një shekulli, do të vërejmë se në analet e saj kanë ngelur emrat e përveçëm të atyre figurave kombëtare që, me veprat e tyre kolosale, kanë lënë gjurmë të thellë në mbamendjen tone kolektive dhe gati asnjëri prej neve sot nuk e mban mend se cilës parti politike i takonte, bie fjala, Hasan Prishtina, por, në anën tjetër, po ta pyetni çdo të dytin nxënës apo student në Kosovë do t’iu tregojë telegrafikisht për dekalogun e tij 14 pikësh. Pra, mbeti ideja e u harrua partia, mbeti emri dhe u harrua ideologjia.

Mbeti Hasan Prishtina dhe u harrua gjithçka që e kufizonte atë brenda një formacioni të ngushtë politik. Partitë politike janë si mbetjet inerte që vijnë në breg të lumit dhe shkojnë varësisht nga intensiteti i reshjeve, ndërkaq politikanët gjithpopullor dhe idetë e tyre sublime janë si lumenjtë që nuk shterojnë kurrë dhe që rrjedhin vazhdimisht drejt hapësirave më të gjëra akumuluese.

Le ta bëjmë edhe Kosovën një lum të madh idesh, me të cilin politikanët do të ‘ujisnin’ të tashmen dhe të ardhmen me vizionin e unitetit dhe dinamikën e pandalshme zhvillimore.