Kosova kërkon nga Mali i Zi edhe 33 mijë metra katrorë të Kamenovës

0
111

Mediat malazeze sot kanë raportuar se Ministria e Drejtësisë në Kosovë ka ngritur padi kundër Komunës së Budvës në Mal të Zi, duke kërkuar kthimin e 4 mijë e 500 metrave katror tokë në “Rafailoviq”. Përveç kësaj, thuhet se Kosova po kërkon edhe kthimin e 33 mijë metrave katrorë tokë në Gjirin e Kamenovës.

“Vijesti” shkruan se Agjencia Kosovare e Privatizimit po kërkon kthimin e 33 mijë metra katrorëve në Gjirin e Kamenovës, i cili dikur ishte vendpushimi i punëtorëve të ndërmarrjeve publike dhe nxënësve të Kosovës.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk heq dorë të provojë se kompania “Rekreatus” nga Prishtina është pronari i vërtetë i 33 mijë metrave katrorë, dhe jo kompania me të njëjtin emër selia e së cilës është në Budva. “Rekreaturs” është një ish-kompani sindikale nga Prishtina që kishte një vendpushim në Kamenovo dhe planifikoi të ndërtonte një të ngjashme në Ulqin. Nën rrethana të pashpjegueshme, kompania u zhvendos në Budva gjatë luftës në 1999, dhe “Atlas Group” e bleu atë në 2002 për 60 mijë euro”, shkruan Vijesti.

Resorti ka qenë jashtë funksionit për një kohë të gjatë, kanë mbetur vetëm kazermat e rrënuara dhe të papërdorshme, por deri më sot, ndërtimi i një resorti luksoz turistik nuk ka fillua, siç është planifikuar në dokumentet e planifikimit.

Gjykata Themelore në Kotor lëshoi ​​një masë të përkohshme që ndalon tjetërsimin, asgjësimin dhe ngarkesën e tokës 15 vjet më parë.