Kosova mposhtet nga Greqia

0
88

Ka përfunduar ndeshja ndërmjet Greqisë dhe Kosovës me fitoren e grekëve, sfidë e cila kaloi me shumë tensione përgjatë 90 minutave të luajtura.

Kombëtarja e Greqisë edhe matematikisht do të renditet në pozitën e parë në grupin 2, pasi që arriti të triumfonte kundër Kosovës me rezultat 2-0.

Në stadiumin ‘Panthessaliko’ në Volos kombëtarja e Kosovës gjatë pjesës së parë nuk ka pasur ndonjë rast për t’u theksuar, ku më shumë janë pozicionuar në mbrojtje.

Gjersa, e njëjta nuk mund të thuhet për helenët të cilët patën dominimin në 45 minutat e para. Ata kishin edhe një rast mjaft të mirë në minutën e 18’të me anë të mesfushorit, Tasos Bakasetas, por goditjen e tij e ndali për mrekulli portieri, Arijanet Muric.

Në pjesën e dytë përsëri grekët ishin ata që sulmuan më shumë dhe kishin dominimin e ndeshjes dhe goli për ata erdhi në minutën e 71’të, ku shënoi sulmuesi, Georgios Giakoumakis.

‘Dardanët’ pastaj morën iniciativën e ndeshjes dhe deri në sekondat e fundit provuan të barazojnë rezultatin, por që nuk e arritën.

Por, në fund pas një gabimi të Emir Sahitit helenët shënuan edhe golin e dytë me anë të mesfushorit, Petros Mantalos.

Vlen të theksohet se kjo sfidë kishte pasur shumë tensione, sepse pas golit të parë të shënuar nga grekët, disa tifozë u raportuan se kishin hyrë në fushë, me ç’rast edhe Vedat Muriqi kishte kërkuar që ndeshja të ndërprehej.