Kosova mund të bëhet me dy kryeqytete

Miratimi i projektligjit për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës, mund t’i prodhojë dy kryeqytete, njëri administrativ e tjetri historik.
Në ndryshimet e bëra më 10 prill, Komisioni Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, nenit 4 i ka shtuar edhe pikën 2, e cila i jep këtë epitet qytetit Lidhjes Shqiptare të vitit 1878, raporton KTV.
Ky propozim ka ardhur nga deputeti i PDK-së, që vjen nga ky qytet, Nait Hasani, i cili e udhëheq këtë komision.
Shkurtimisht, përmes telefonit, ai ka thënë se shumë shtete i kanë “kryeqytetet historike”, andaj edhe Kosova duhet ta ketë të vetin.
I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se në projektligjin që posedon ai, ky nen nuk ekziston, ndërsa diskutimet për këtë i quan politike.
Kryeqyteti historik, sipas Ahmetit, nuk duhet të jetë pjesë e ligjit për atë administrativ.
Sipas tij, nëse hyhet në histori, Prizreni ka qenë kryeqytet i Shqipërisë dhe nuk do të duhej të kufizohej vetëm me Kosovë.
Ndërsa, i pari i qytetit të dytë më të madh në vend, Mytaher Haskuka, gjatë së shtunës, nuk ka folur rreth kësaj çështjeje, me arsyetimin se është në Gjermani.