Kosova për herë të parë me Strategji për Krimet e Luftës në Kosovë

737
Prokuroria e Shtetit, në kuadër të ushtrimit të detyrave dhe përgjegjësive ligjore tash e tutje do të ketë në dispozicion një dokument të rëndësisë së veçantë për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, ngaqë anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, kanë aprovuar Strategjinë për raste të krimeve të luftës, në mbledhjen e mbajtur më 21 shkurt 2019.
Siç njofton komunikata për media, kjo strategji, hartimi i së cilës është iniciuar nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, synon t’i hetojë dhe ndjekë penalisht të gjithë personat, të cilët kanë kryer krime lufte në kundërshtim më të drejtën humanitare ndërkombëtare gjatë viteve 1998-1999 në tërë territorin e Republikës së Kosovës, si dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat.
“Një numër i madh i krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të tjera të rënda sipas të drejtës ndërkombëtare,të kryera në formë të vrasjes së civilëve, zhvendosjes së detyruar të popullatës civile, burgosjes së paligjshme, torturës, dhunës seksuale, trajtimit çnjerëzor, grabitjes dhe shkatërrimit të pronës, të pasurive ekonomike, objekteve kulturore dhe religjioze dhe veprave penale të tjera të ngjashme kanë ndodhur në territorin e Kosovës në shkallë të gjerë apo sistematike në kontekst dhe si rrjedhojë e zhvillimit të luftës (konfliktit), e cila ndodhi në periudhën kohore 1998 dhe 1999”, thuhet në komunikatë.
Sipas të Drejtës ndërkombëtare, hetimi dhe ndjekja penale efikase dhe efektive e krimeve të rënda, përkitazi, parimet e transparencës, lirisë nga ndërhyrja politike, respektimi i drejtave të njeriut dhe përgjegjësitë individuale penale, janë mjete thelbësore për përcaktimin e përgjegjësisë së kryerësve, vendosjen e drejtësisë për viktimat dhe palët e dëmtuara, si dhe për forcimin e sundimit të ligjit.
Prokuroria Speciale e Kosovës i ka marrë kompetencat ekskluzive në qershor të vitit 2018 për t’i hetuar dhe ndjekur krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të së drejtës humanitare ndërkombëtare. Fillimisht, këto raste ishin në kompetencë të prokurorëve të UNMIK-ut dhe më pastaj kishin kaluar në kompetencë të Misionit evropian për Sundim të Ligjit, EULEX. Që nga muaji qershor 2018 e deri më tani, në Prokurorinë Speciale të Kosovës, konkretisht në Departamentin e Krimeve të Luftës, nga misioni i EULEX-it janë transferuar afro 900 lëndë të krimeve të luftës dhe shkeljeve të tjera të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Gjithashtu, janë transferuar edhe afro dymijë (2000) lëndë për persona të zhdukur.
Për të pasur një hetim dhe ndjekje penale efikase dhe efektive, Strategjia për trajtimin e krimeve të luftës parasheh përforcimin e Departamentit për Krime të Luftës të Prokurorisë Speciale më gjithsejtë pesë (5) prokurorë dhe stafit mbështetës, të cilët do t’iu shërbejnë prokurorëve në trajtimin e lëndëve të krimeve të luftës.
Në bazë të strategjisë dhe numrit të lëndëve, të cilat janë në Prokurorinë Speciale, parashihet edhe rritja e numrit të zyrtarëve policorë, të cilët duhet të kryejnë hetime në bazë të urdhrave dhe vendimeve të prokurorëve specialë.
Rezultatet e pritura përmes zbatimit të kësaj strategjie janë që:
a) Të sigurohet hetimi dhe ndjekja penale e pretendimeve serioze për krime të luftës dhe krime të tjera, sipas të Drejtës ndërkombëtare dhe në përputhje me standardet e të Drejtës ndërkombëtare penale, duke përfshirë zhdukjen e detyruar dhe vrasjen e personave të zhdukur gjatë dhe pas luftës;
b) Të sigurohet që lëndët grumbullohen dhe caktohen prioritetet e tyre me përqendrim në përgjegjësinë komanduese dhe kontrolluese në vend të shenjëstrimit vetëm të të dyshuarve të nivelit të ulët;
c) Të sigurohet konfidencialiteti i hetimeve dhe dëshmive;
d) Të sigurohet mbrojtja e dëshmitarëve dhe e informatorëve;
e) Të sigurohet nivel i shtuar i ruajtjes së provave në rastet ku ka rrezik të konsiderueshëm që provat e tilla mund të mos jenë në dispozicion më pas në shqyrtim gjyqësor, duke pasur parasysh kohën e gjatë që ka kaluar që nga kryerja e pretenduar e krimeve;
f) Të bëhet rritja e bashkëpunimit të organeve hetuese me Zyrën për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave;
g) Të sigurohet trajtim i barabartë i të dyshuarve dhe i të pandehurve, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare, etike dhe religjioze;
h) Të rritet bashkëpunimi dhe bashkërendimi me të gjitha agjencitë kombëtare të angazhuara në hulumtimin dhe hetimin e krimeve të luftës dhe shkeljeve të tjera të së drejtës ndërkombëtare humanitare;
i) Të rritet promovimi i bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e hetimit dhe ndjekjes penale të krimeve të luftës dhe shkeljeve të tjera të së drejtës ndërkombëtare humanitare;
j) Të rritet bashkëpunimi me organizatat joqeveritare dhe shoqatat e familjeve të viktimave;
k) Të rritet shkalla e vetëdijesimit publik për nevojën e hetimit dhe ndjekjes penale të krimeve të luftës dhe shkeljeve të tjera të së drejtës ndërkombëtare humanitare;
l) Të gjenden mënyra për t’i kapërcyer pengesat juridike, politike dhe të sigurisë gjatë përpjekjeve për të marrë informata të MTPN-së/TNPJ-së, përkitazi, me lëndët për Republikën e Kosovës dhe
m) Të sigurohet një përqendrim i veçantë në lëndët që përfshijnë krime të dhunës seksuale, por edhe të zhvillohen dhe zbatohen strategji për fuqizimin e të mbijetuarve përmes procesit të drejtësisë.
Një numër i madh i provave, deklaratave të dëshmitarëve dhe deklaratave të të dëmtuarve nuk gjenden në dosjet të cilat i posedon Prokuroria Speciale e Kosovës, dhe se shumica e këtyre deklaratave dhe provave, të cilat janë shumë relevante për ngritjen e aktakuzave për gjykime të suksesshme janë jashtë Republikës së Kosovës. Prandaj, strategjia synon të vendosë një bashkëpunim juridik ndërkombëtar efikas në fushën penale më vendet e rajonit.
Duhet ta kuptohet se qëllimi i Prokurorisë së Shtetit është që të gjithë ata të cilët kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë kohës së luftës në Kosovë të vihen para përgjegjësisë penale.
Andaj, Strategjia parasheh bashkëpunimin juridik të Prokurorisë Speciale të Kosovës edhe me Tribunalin për ish-Jugosllavinë në Hagë, INTERPOL-in dhe EUROPOL-in, organizatat e shoqërisë civile, mediat, mirëpo çdoherë duke e respektuar plotësisht konfidencialietin e hetimeve dhe mbrojtjen e viktimave.
Përveç bashkëpunimit ndërkombëtar, dokumenti: “Strategjia për trajtimin e krimeve të luftës” parasheh bashkëpunim të brendshëm ndërinstitucional në mes prokurorëve, policëve hetues dhe Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave, sidomos kur bëhet fjalë për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.
Strategjia,gjithashtu, përcakton që Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit të promovojë pjesëmarrjen e prokurorëve të PSRK-së në trajnime, konferenca dhe projekte tematike rajonale dhe ndërkombëtare, me qëllim të rritjes së përfshirjes dhe ekspertizës së prokurorëve të PSRK-së në fushën e krimeve të luftës dhe krimeve të tjera të rënda sipas të drejtës ndërkombëtare dhe për rastet e personave të zhdukur.
Në këtë dokument strategjik parashihet edhe transferimi i Bazës së të Dhënave, e quajtur “ZyLAB” nga UNMIK-u,te autoritetet kosovare, sistem ky, i cili do të ndihmojë për zhvillimin e procedurës penale të rasteve të krimeve të luftës.
Strategjia për krime të luftës përbën dokumentin e parë të këtij lloji në Kosovë, zbatueshmëria e të cilit do të mbikëqyret nga institucionet kompetente, siç janë:Këshilli Prokurorial i Kosovës, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Policia e Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë.