Kosova sonte kërkon fitore historike në Mal të Zi

“Dardanët” e Bernard Challandes e kanë një sfidë të rëndësishme para vetes. Sonte në orën 20:45, në stadiumin e qytetit të Podgoricës, ata do ta kërkojnë fitoren e parë në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.

Në mars, Kosova e bëri paraqitjen e parë zyrtare në kualifikime për Kampionat Evropian, ndërsa sot do të tentojë ta regjistrojë fitoren e parë, kundër Malit të Zi, në Podgoricë, raporton Gazeta Express.

Kjo do të jetë edhe hera e parë që këto dy kombëtare po përballen mes vete dhe që të dyja do të jenë të motivuara për të siguruar fitore, pasi që kualifikimin në EURO 2020 mund ta sigurojnë duke e zënë njërën ndër dy vendet e para në Grupin A.

Në këtë grup, përveç Kosovës dhe Malit të Zi garojnë edhe Anglia, Republika Çeke dhe Bullgaria. Përderisa Kosova e ka zhvilluar vetëm një ndeshje deri më tani, Mali i Zi i ka zhvilluar dy. Por, përkundër kësaj, dy Kombëtaret kanë baras pikë të grumbulluara deri më tani, vetëm një.

Trajneri Bernard Challandes ka disa mungesa për këtë ndeshje, përfshirë Valon Berishën, Hekuran Kryeziun dhe Hekuran Shalën. Për këtë arsye ai kishte ftuar edhe dy përforcime të reja si, mesfushorin e Viking Stavenger, Ylldren Ibrahimaj dhe mbrojtësin e Hereenven, Ibrahim Dresevic.

Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk do të ketë mundësi të luajë sonte. Këtë lajm e konfirmoi dje trajneri Bernard Challandes.

“Dresheviq dhe Ibrahimaj, nuk do të paraqiten pasi që ende nuk është kompletuar dokumentacioni i FIFA-s, kurse për Hadergjonaj – ai është gati për të luajtur”, ka thënë Challandes.

Në këtë ndeshje do të ketë disa ritakime, për shembull portieri i Kosovës, Arijanet Muriç, kishte luajtur për Malin e Zi U-21 para se të vendoste t’i bashkohej Kosovës. Në anë tjetër, kapiten i Malit të Zi pritet të jetë Fatos Beqiraj nga Peja, i cili i ishte bashkuar malaziasve para se Kosova të pranohej në shtëpitë e futbollit.

Fitorja në këtë ndeshje jo vetëm që do t’ia përmirësonte Kosovës gjasat për ta siguruar kualifikimin në EURO 2020 përmes këtij grupi, por edhe do ta ngrinte atë më lart në ranglistën e FIFA-s, pasi që Mali i Zi rangohet në vendin e 51-të në këtë listë, në krahasim me Kosovën, që renditet në pozitën e 127-të.

Kosova mund të kualifikohet në EURO 2020 edhe nëse nuk e zë njërin nga dy vendet e para në Grupin A, pasi që nëse dështon në këtë rrugë, Kosova e ka edhe një mundësi tjetër, përmes play-offs për kualifikime, ku e siguroi një vend në gjysmëfinale përmes triumfit në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve.