Kosova udhëton drejt Anglisë për ndeshjen më të madhe të saj

Ekipi kombëtar i Kosovës do të udhëtojë mëngjesin e sotëm drejt Anglisë, me të cilën do të përballet të nesërmen në ndeshjen e saj më të rëndësishme deri tani në kualifikimet për Euro 2020.

Kosova e viziton Anglinë pas një fitoreje të jashtëzakonshme kundër rivalit të drejtpërdrejt për vendin e dytë, Republikës së Çekisë, në fundjavë në Prishtinë.

Kombëtarja dardane do të përpiqet ta ruajë ecurinë e përkryer prej 15 ndeshjeve pa humbje, si dhe pozitën e dytë në Grupin A kualifikues, të cilën e mban me 8 pikë, dy më shumë se Çekia.

Anglia, ndërkohë, ka pasur paraqitjet të shkëlqyera në tri ndeshjet e deritanishme kualifikuese dhe me të drejtë është lidere me 9 pikë.

Pa dyshim, përballja e së martës mbrëma në orën 20:45 kundër “Tre luanëve” do të jetë ndeshja më e rëndësishme deri tani për verdhekaltrit. Për më të tepër, Anglia do të jetë Kombëtarja më e madhe, si dhe e renditura më së miri në FIFA (4) me të cilën Kosova do të ketë pasur punë që prej pranimit të saj në UEFA dhe FIFA më shumë se tre vjet më parë.

Bernard Challandes kreu stërvitjen e fundit të dielën në mbrëmje para nisjes drejt Southamptonit mëngjesin e sotëm.

Në stërvitje morën pjesë vetëm futbollistët që nuk u paraqiten në ndeshjen e fundit dhe ata që luajtën si zëvendësues.

Kosova do të jetë përsëri pa pesë lojtarët titullarë, Arbër Zeneli, Milot Rashica, Hekuran Kryeziu, Benjamin Kololli dhe Herolind Shala.