KQZ: Do të çojmë para drejtësisë kryebashkiakët që po pengojnë procesin zgjedhor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes zëdhënëses Drilona Hoxhaj, njoftoi sot, se do të çojë para drejtësisë të gjithë kryebashkiakët që po tentojnë të bllokojnë procesin zgjedhor. Në një deklaratë për mediat, Hoxhaj tha se KQZ do t’i drejtohet organeve kompetente për të garantuar zbatimin e ligjit, duke cituar tre veprat penale për të cilat do të padisë kryebashkiakët dhe personat në cenimin e një procesi të qetë zgjedhor në KZAZ (Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve).

“KQZ do t’i drejtohet organeve kompetente për të garantuar zbatimin e ligjit. Ju kujtojmë se, veprime të tilla përbëjnë vepër penale sipas nenit 248 “Shpërdorim i detyrës”, nenit 325 “Pengimi i subjekteve zgjedhore” dhe nenit 326/a “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Penalizimi për këto vepra, është edhe shkak për moszgjedhje/mosemërim në funksionet publike, sipas ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” (dekriminalizimi)”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj i bëri edhe një herë thirrje bashkive të drejtuara nga PD dhe LSI që të reflektojnë dhe të shmangin pengimin e procesit zgjedhor.

“Disa kryetar bashkie i janë drejtuar KZAZ ku kanë kërkuar lirimin si dhe ndërprerjen e afishimit të listave të zgjedhjeve në shkolla, në administrim të bashkive. KQZ vlerëson se këto kërkesa janë në tejkalim të kompetencave për vetëqeverisjen vendore. KQZ ripërsërit kërkesën për reflektim dhe për të shmangur pengimin e procesit zgjedhor, cenojnë kompetencën e KQZ, KZAZ, në ushtrimin e funksioneve administrative publike të parashikuara në kodin zgjedhor”, tha Hoxhaj.

Nga ana tjetër ajo tha se me shkresë të Kuvendit, KQZ do të vijojë punën për administrimin e procesit zgjedhor të datës 30 qershor, dhe siç rezoluta e miratuar nga 100 deputetë thotë – dekreti i presidentit për anulimin e tyre duhet të konsiderohet inekzistent.

“Kuvendi i Shqipërisë përmes Rezolutës, datë 10.06.2018:

– ka shprehur mbështetjen për qëndrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vijimin e procesit zgjedhor duke inkurajuar KQZ të mbrojë pacënueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore, të datës 30 qershor 2019, në zbatim të dekretit të Presidentit nr. 10 928, datë 5.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”;

– i bën thirrje të gjitha organeve publike, që ngarkon ligji me detyra në kuadër të mbarëvajtjes dhe organizimit të zgjedhjeve vendorë të datës 30 qershor 2019, të konsiderojnë si inekzistent aktin e Presidentit, datë 10.06.2019, për shfuqizimin e Dekretit nr. 10928, datë 5.11.2019, dhe të vijojnë përmbushjen e detyrave të tyre sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës për të garantuar të drejtën kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor”.

Pas deklaratës së zëdhënës se KQZ-së, kryetari Klement Zguri në një reagim tha se distancohet nga ky qëndrim. “Deklarata është qëndrim i katër anëtarëve të Komisionit, nuk është qëndrimi im”

Lini një Përgjigje