KQZ-ja do telefonojë votuesit jashtë vendit, nëse nuk lajmërohen e humbin të drejtën e votës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka marrë vendim që votuesit jashtë Kosovës të regjistrohen për votim përmes emailit.

Në vendimin e KQZ-së, thuhet se përmes një emaili, mund të aplikojë rrethi i ngushtë familjar që ka mbiemër të njëjtë.

Verifikimi i procesit të aplikimit do bëhet përmes kontaktimit me telefon. Në pikën katër, KQZ-ja njofton se në rast se aplikuesi nuk përgjigjet në thirrje, aplikimi i tij do refuzohet.

Po ashtu në vazhdim të mbledhjes, u njoftua se periudha për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës do të fillojë më 13 janar dhe do të përfundojë më 21 janar, në orën 18:00, sipas kohës në Kosovë.

Sipas vendimit të KQZ-së: “I. Prej një e-mail adrese, aplikuesi mund të aplikojë për vete dhe për rrethin e ngushtë familjar, që kanë të njëjtin mbiemër;

II. Në formularët e aplikimit për regjistrim, aplikuesi të shënojë vetëm numrin e tij të telefonit dhe jo të ndonjë familjari;

III. KQZ-ja do të verifikojë procesin e aplikimit për regjistrim, duke i kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit;

IV. Nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet”, thuhet në njoftim.