KQZ në pritje të Gjykatës Supreme, pastaj tërhiqet shorti

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka folur rreth vendimit të djeshëm të PZAP-së duke thënë se në të ka këshilla juridike ku iu tregohet palëve që kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme brenda 24 orëve.

“KQZ gjatë ditës së djeshme ka qenë në pritje të vendimeve të PZAP-së pasi disa subjekteve politike kanë paraqitur ankesat e tyre në këtë institucion. Kemi pranuar vendimet e këtij institucioni që i jep të drejtë KQZ-së në vendimet e datës 22 janar lidhur me moscertifikimin e kandidatëve të disa subjekteve politike. Në këto vendime të PZAP-së, ka këshilla juridike, ku iu tregohet palëve që kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme brenda 24 orëve dhe ne do të presim për të proceduar pastaj edhe më tej”.

“KQZ do të veprojë në përputhje me vendimet e këtyre instituconeve. Po presim të përfundojë çështja e ankesave edhe në Gjykatën Supreme sepse pastaj KQZ mund të bëjë tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve. Pasi të kemi miratuar fletëvotimin menjëherë në ditën pasuese, 2 shkurti fillon me periudhën tjetër të votimit përmes postës”.

Elezi tha se periudha e aplimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, aktualisht është përmbyllur dhe tani janë në fazën e shqyrtimit dhe verifikimit.

“Më 2 shkurt fillon periudha e votimit. KQZ është në shqyrtim, konfirmim dhe verifikim të aplikacioneve të cilat i kemi pranuar. Sipas të dhënave, në sistem janë futur diku rreth 120 mijë aplikacione. Gjatë verifikimit janë aprovuar rreth 44 mijë aplikacione dhe të pahapura janë dikur rreth 41 mijë email-a. Ne ende nuk mund të themi që kaq është numri i aplikuesve sepse po presim përfundimin e gjithë këtij procesi”.