Krasniqi: Eliminimi i Veliut gabim i madh, Abdixhiku po përgatit terrenin që të afrohet me VV-në

0
139

Së fundi Agim Veliu është shkarkuar nga pozita e kreut të degës së LDK-së në Podujevë. Këtë vendim të kryetarit të ri, Lumir Abdixhikut, njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Milazim Krasniqi, po e sheh si gabim të madh që në të ardhmen mund të jetë në dëm të tij dhe partisë.

Krasniqi për Indeksonline u shpreh se Abdixhiku, nën pretekstin e emërimit të kandidatëve për kryetar komunash e ka fillu procesin e spastrimit të partisë nga figurat e vjetëra të partisë.

Tutje, ai tha se Agim Veliu është figura më qëndrestare që i ka mbetur LDK-së dhe ka pasur ndikim të madh në parti. Andaj, eliminimin e tij në atë mënyrë, Krasniqi e sheh si të pamoralshëm dhe politikisht të dëmshëm.

“Kam përshtypjen që veprimi i Abdixhikut në degën e Podujevës është një gabim i madh i cili do të mund t’i hakmerret edhe atij edhe partisë së tij. Më duket si veprim perfit sepse nën pretekstin e emërimit të kandidatëve për kryetar komunash e ka fillu procesin e spastrimit të partisë nga figurat e vjetëra të partisë. Pra, në këtë aspekt ka rrezik që të futet konflikt brenda partisë sepse njerëzit e pakënaqur, në këtë rast miqtë dhe idhtarët e Agim Veliut mund të abstenojnë dhe LDK-ja mund të humb vota në këtë aspekt.

Mendoj që rasti i Agim Veliut po ashtu është shumë specifik në LDK sepse është figura më qëndrestare e LDK-së që ka ngel në LDK. Një person që ka fitu 3-4 herë zgjedhjet në Podujevë, që ka pasur ndikim shumë të madh në politikat e saj, veçmas në përballim të Lëvizjes Vetëvendosje. Prandaj eliminimi i tij në atë mënyrë brutale më duket i pamoralshëm dhe politikisht i dëmshëm. Mbetet që të shihet në të ardhmen se si do të përcillet e gjithë kjo, por pa asnjë dyshim që kjo mund të jetë në dëm të vet LDK-së”, tha Krasniqi.

Sipas Milazim Krasniqit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku përmes spastrimeve në parti, po e përgatit terrenin që të afrohet më shumë me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Përshtypja e dytë është që Lumir Abdixhiku po përgatitet, përmes spastrimeve në parti, që të lidhë terrenin që në të ardhmen të afrohet më shumë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kjo është një çështje që i përket padyshim LDK-së por mendoj që është gabim strategjik sepse LDK-ja ka një histori të madhe dhe ka një histori të një partie që vet i harton politikat e veta dhe nuk bëhet patericë e ndonjë partie tjetër”.

Po ashtu, në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së janë zyrtarizuar tetë kandidatura për kryetarë të komunave, në mesin e të cilave pati edhe befasi.

Ndër to më e përfolura është ajo e Përparim Ramës për kryetar të Prishtinës. Krasniqi thotë se ai është një person që nuk ka asnjë kredencial në LDK.

Ndërsa për rikandidimin e atyre që janë fitues, Milazim Krasniqi i sheh shumë korrekte.

“Mbetet të shihet në të ardhmen për këto veprime, siç është edhe kandidimi i Përparim Ramës për kryetar të Prishtinës. Praktikisht një person që nuk ka kurrfarë kredencialesh në LDK, tregojnë që Abdixhiku po përpiqet të bëjë një diskontiniutet me traditat e deritashme të LDK-së. Por, meqë LDK-ja është parti konservatore e djathtë, besoj që kjo mund të ketë implikime të dëmshme në parti.

Kandidaturat e atyre që janë fitues, janë korrekte, p.sh. rasti i Burim Berishës në Fushë Kosovë që ka fitu së paku 5 herë dhe është krejt normale që kandidatët e tillë të vazhdojnë sepse ata janë fitimtarë dhe në këtë aspekt besoj që Burim Berisha, Sokol Haliti, Gazmend Muhaxheri, janë kandidatura të logjikshme. Kështu që në atë aspekt besoj që nuk ka ndonjë hapësirë për të bërë vërejtje”, përfundoi Krasniqi./