Krasniqi: Mërgata jonë janë qytetarë të suksesshëm gjithandej BE-së

142

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se sot feston unitetin dhe diversitetin e Bashkimit Evropian dhe vlerat të cilat ka në themelet e saj – paqen, demokracinë dhe të drejtat e njeriut – të cilat na lidhin fuqishëm dhe pandashëm bashkë.

Sipas tij, shqiptarët e Kosovës e kanë dëshmuar për dekada se janë vlerë e shtuar dhe aset tejet i rëndësishëm – me kontributin e tyre të shquar në të gjitha shtetet e Evropës ku jetojnë dhe punojnë.

“Mërgata jonë janë qytetarë të dalluar dhe të suksesshëm gjithandej BE-së. Fatmirësisht, pas shumë përpjekjeve, ndonjëherë edhe vonesave të panevojshme, edhe shteti ynë, Kosova, tashmë ka hyrë në rrugën e pa kthim – drejt përqafimit të vlerave evropiane dhe integrimit e anëtarësimit në këtë Bashkësi”.

Tutje, ai ka shtuar se vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe pranimi i aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës – janë shenja të përafrimit tonë, por, mbi të gjitha, edhe përmbushje e premtimeve të kamotshme që Bashkimi Evropian i kishte dhënë Kosovës.

“Prandaj, para se gjithash, ky vit i cili shënon një pikë kthese për Kosovën dhe BE-në, uroj që të konkretizohet sa më parë me marrjen e statusit kandidat dhe më pas anëtarësimit të plotë të Kosovës në BE”.