Krasniqi prezanton Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së me 15 departamente

0
117

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka prezantuar vizionin e “Kabinetit për Qeverisje të Mirë”, si alternativë ndaj qeverisjes aktuale.

Kryetari i PDK-së, që njëherësh do të jetë edhe udhëheqës i Kabinetit për Qeverisje të Mirë, Memli Krasniqi, përmes videoadresimit tha se KQM është një “platformë politike alternative përballë keqqeverisjes aktuale”.

Kabineti përbëhet nga 15 dikastere, bartësit e së cilëve i pari i PDK-së ka thënë se do t’i prezantojë ditët e ardhshme.

Lideri i PDK-së ka shtuar se në një klimë politike kur sfidat janë të forta e qeverisja është e dobët, kur demokracia po rrezikohet dhe e ardhmja po bëhet e pasigurt, e kur mirëqenia e qytetarëve po lëndohet seriozisht nga një ekonomi në rënie, PDK ka vendosur të përgjigjet me një platformë të duhur dhe me një vizion të ri politik – të bazuar në dije dhe kompetencë.

Kabineti për Qeverisje të Mirë do të përbehet nga 15 departamente:

Departamenti për Ekonomi, Tregti dhe Ndërmarrësi

Departamenti për Agjendë të Gjelbër

Departamenti për Transformim Digjital dhe Inovacion

Departamenti për Bujqësi dhe Zhvillim Rural

Departamenti për Punë Publike dhe Investime Kapitale

Departamenti për Financa

Departamenti për Drejtësi

Departamenti për Punë të Brendshme, Administratë Publike dhe Qeverisje Lokale

Departamenti për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare

Departamenti për Arsim, Shkencë dhe Kapital Njerëzorë

Departamenti për Kulturë, Sport dhe Turizëm

Departamenti për Shëndetësi

Departamenti për Përkujdesje Sociale

Departamentit për Punë të Jashtme dhe Agjendë Evropiane

Departamentit për Mërgatë dhe Bashkëpunim Ndërshqiptar

Krasniqi tha se Kabineti për Qeverisje të Mirë do ti ketë 5 prioritete thelbësore. Ekonomi Transformuese, Digjitale dhe e Gjelbër; Rend Publik dhe Siguri Qytetare; Kulturë, Kapitali Njerëzor Konkurrues; Shëndetësi Cilësore, si dhe Diplomacia Aktive dhe Bashkëpunim Ndërshqiptar.

Krasniqi tha se këto departamente do të udhëhiqen nga Koordinatorët përkatës dhe do të përfshijnë profile njerëzish kompetentë, me përgatitje akademike e përvojë politike e menaxheriale, të gatshëm e me vullnet që të ofrojnë dijen dhe angazhimin e tyre në dobi qytetarëve.

Krasniqi tha se PDK së shpejti do të nisë platformën e re politike “Dialog me Kosovën”.

“Në mënyrë që alternativat tona qeverisëse të jenë jo vetëm manifestim i kompetencës, dijes dhe vullnetit politik, por të jenë po ashtu gjithëpërfshirëse, të hapura e në përputhje me pritjet e qytetarëve, si kryetar i PDK-së dhe si Udhëheqës i Kabinetit për Qeverisje të Mirë, në ditët e ardhshme do të jem së bashku me ju në çdo qytet e fshat, çdo lagje e vendbanim anekënd vendit, për të bashkëbiseduar dhe për t’i dhënë shpirt vizionit tonë të përbashkët për Kosovën. Andaj, shumë shpejt do ta nisim një diskutim të hapur me të gjithë, përmes platformës sonë “Dialog me Kosovën”, sepse, më shumë se çka do tjetër, sot kemi nevojë për të dëgjuar njëri tjetrin e për të zbatuar në praktikë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të vendit tonë”, tha Krasniqi.

Ai kërkoi mbështetjen e qytetarëve në këtë rrugëtim të ri të PDK-së, për t’ia rikthyer perspektivën Kosovës.