Krasniqi: Problem kryesor për mos vazhdimin e dialogut nuk është taksa

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma-s Socialdemokrate, Jakup Krasniqi është deklaruar edhe një herë për taksën që Qeveria e Kosovës e ka vendosur për mallrat serbe.

“Kjo taksë po shihet nga shumë faktorë të jashtëm si pengesa kryesore e vazhdimit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë?! Mbase taksa edhe mund të jetë si shkas, por problemi nuk është të shkasi, por të shkaqet që e sollën vendosjen e saj. Dhe shkaqet e shumta që e sollën taksën duhet kërkuar dhe janë vetëm e vetëm në Beograd, aty ku nuk ka asnjë pendim, madje as formal për krimin e gjenocidit që Beogradi zyrtar ka kryer në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.

Përkundrazi, sipas Krasniqit, politika zyrtare në Beograd, kryesit e krimeve në luftë e të gjenocidit jo vetëm në Kosovë i ka shpallur heronj dhe i trajton si heronj.

“Tek e fundit edhe vet fakti se kjo politikë nuk e ka pranuar gjenocidin serb në Bosnje e Hercegovinë, Kroaci e në Kosovë, bile as është distancuar nga politikat e gjenocidit, tregon se politika zyrtare e Beogradit ato veprime edhe sot e gjithë ditën i konsideron të drejta dhe në të mirë të popullit serb”, ka deklaruar ai.

Kushdo që i ka përcjellë zhvillimet në ketë pjesë të Ballkanit edhe në dhjetë vitet e fundit, sipas tij, e ka të qartë se ku fle lepuri, thonë serbët!

Pra sipas Krasniqit, problemi nuk është të taksa, por të mbrojtësit e politikave të krimit e të gjenocidit që e drejtojnë Serbinë edhe sot. Prandaj taksa nuk është problemi kryesor për mos vazhdimin e dialogut.