Krasniqi sfidon Kurtin: Hajde shkojmë bashkë në veri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kritikuar fjalimin e kryeministrit Albin Kurti të mbajtur në Kuvend për situatën në veriun e vendit.

Ai ka thënë se Kurti në vend se të sillet si një kryeministër po sillet si një gazetar mediokër i një televizioni shtetëror.

“Në kohen kur Kosova gjendet në situatën më të rrezikshme që e ka pasur prej që e ke marrë përgjegjësinë me e udhëheqë vendin. Në vend se me u sjell si kryeministër sillesh si një gazetar mediokër i një televizioni shtetëror. Del këtu na lexon raporte e na tregon historia dhe nuk dite një fjalë me na tregu pse, qysh, çka do me arritur me këto veprime të cilat, jo që nuk i ke të bashkërenduara e nuk i ke të koordinuar me askënd hiç. Po i ke bërë në krye në veti dhe në kundërshtim me ato çka i ke deklaruar më herët bashkë me të gjithë partnerët ndërkombëtaret”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se para deputetëve kryeministri ka lexuar komunikata të Xhelal Sveçlës.

“Ky popull meriton ndryshe, ky popull meriton me shumë përkushtim, ky popull meriton më shumë respekt, sepse secili qytetar i Kosovës, shqiptarët sidomos janë të shqetësuar me situatën e krijua në vend”, ka thënë Krasniqi.

Më tutje, Krasniqi ka sfiduar Kurtin që të shkojnë bashkë në veriun e Kosovës, konkretisht në zyrat e kryetarëve të komunave.

“Pse po insiston mi çuar tre njerëz që jetojnë në pjesën veriore. Hajde shkojmë bashkë në veri. Hymë bashkë në zyrë, rrimë me ta qaty. Boll u bë me këtë propagandë. Nëse të ka mbet merak zjarri të kaluarës. Njerëzve u duhet qetësi, paqe veç nëse ti ke qëllime të tjera”, ka thënë Krasniqi, duke e kritikuar Kurtin për qasjen ndaj faktorit ndërkombëtar.

“Kjo s’është kriza e parë. Ne po jetojmë nga kriza në krizë. Me Albin Kurtin kryeministër në raport me partnerët kryesorë të Kosovës ne kemi vetëm telashe. Vetë kriza. Që nga viti i kaluar. Nuk funksionon aleanca kështu. Nuk funksionon një shtet i pavarur që dëshiron me pasur një perspektivë euro-atlantike. Sepse, rrezikohet kjo perspektivë. Sanksionet ndaj Kosovës janë shqetësim për çdo qytetar. Nuk jemi më sovran kur na përjashton NATO nga ushtrimet ushtarake të saj. Nuk mund të reduktohet sovraniteti prej një njeriu i cili institucion me hy në tri zyre të caktuara”- shtoi Krasniqi.