Krismat e Prillit

0
574

Shkruan: Safet Hasani

Në prill të vitit 2019, mbushën njëzet vite nga rënia heroike e gjashtë dëshmorëve të kombit nga Batalioni i Parë të Brigadës 142 ZOSh-ës: Gëzim (Rasim) RAMA, Ekrem (Enver) ISUFI, Januz (Zejnullah) JASHARI, Avni (Hajdin) KLINAKU si dhe ushtarit nga fshati Gradicë e Drenasit, Mehdi FAZLIU.

Gjatë muajit prill të vitit 1999, në krahinë e Artakollit të rajonit të Çyqavicës gjegjësisht në Batalionin e Parë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës, luftimet ishin të ashpra dhe të pandërprera. Pas Betejes së Druarit, që zgjati më tepër se 40 ditë, forcat serbe arrin të pozicionohen në disa fshatra rreth maleve të Çyqavicës. Ata vendosën nëpër disa shtëpi ku ishte pozitë e mirë për të sulmuar dhe vrojtuar. Mirëpo, njësitë e Bat.1, Brig.142, nuk i ndalën asnjëherë sulmet kundër forcave ushtarake dhe policore serbe. Kështu, forcat serbe për humbjet që pësonin nga njësitë e UÇK-së ata hakmerreshin në kalimtar të rastit në civil të paarmatosur. Për çdo ditë forcat serbe tentonin të depërtonin në pozicionet e Bat.1, por ushtarët e UÇK-së të udhëhequr nga kom. Bat.1, z.Aziz Bici, me luftë i ndalën dhe nuk i lejuan të bëjnë tmerre dhe krime siç bënë në zonat tjera. Duke pa rrezikun që kanosej nga forcat serbe, kom. Aziz Bici, kishte urdhëruar që të ndërtohen strehimore, istikame, spitale nën tokë, si për ushtar ashtu edhe për civil të paarmatosur.

Me 10 prill 1999, forcat serbe tentojnë të vendosën në lagjen Hasani në fshatin Strofc, në shtëpinë e Sejdi Hasanit. Ushtarët e Bat.1 të prirë nga Aziz Bici i largojnë nga ajo shtëpi serbët duke i lënë të vrarë disa ushtarë dhe policë serb, e në atë aksion bije heroikisht edhe dëshmori i kombit, Gëzim RAMA, dhe plagoset komandanti i Bat.1, Aziz Bici.

Politika serbe kishte vërejtur se nuk ishte lehtë të thyhej njësitë e UÇK-së të Brig.142, dhe kishin organizuar sulme të ashpra që ta pushtonin Çyqavicën, këtë territor ku sipas politikës serbe, ishte i vetmi vend që nuk ishin shpartalluar njësitet e UÇK-së. Sipas politikës së Beogradit, Brig.142, e ZOSh-ës, ishte e vetmja njësi që akoma nuk ishte pushtuar nga forcat serbe. Me 6 prill 1999, krimineli serb Voisllav Sheshel, në radiotelevizionin e DojcheWhele (DW) në gjuhën serbe, do të deklaroj:
“Forcat ushtarake policore serbe në Kosovë kanë arritur t’i shpartallojnë të gjitha njësitë e UÇK-së. Detyrë e vetme për t’i shpartalluar në tërësi, u mbetet forcave serbe t’i shpartallojnë edhe njësitet e ashtuquajtura Brigada 142 e UÇK-së, që vepron në territorin e maleve të Çyqavicës…”.
Me 8 prill 1999, në revistën “Ylliria” në New York do të publikohej plani i kriminelëve serb Voisllav Sheshelit, Millan Millotinoviqit, etj., plan sekret serb që parasheh eliminimin e shqiptarëve në territore të shumta të Kosovës, ku pikë kryesore ishte Brig.142, e në veçanti Bat.1 i kësaj brigade. E tërë kjo bëhej për të masakruar shumë shqiptar dhe për t’i dëbuar pjesën tjetër jashtë Kosove, qëllimi ishte të themelohej federata serbe “Serbia e Madhe”.

Me 14 prill 1999 forcat speciale serbe me një arsenal të stërngarkuar, njësi me përvojë të hidhur luftarake në luftërat e ish-Jugosllavisë, si: Jedinica za specialne Operacije JSO (Njësia për Operacione Speciale, Belo Orlovi (Shqiponjat e Bardha), Tigrovi (Tigrat), dhe dy njësi speciale ruse Vukovi (Ujqit) dhe Shangaj, me mercenar të shumtë zbarkojnë në shkollën e policisë në Vushtrri. Të prirë dhe të ndihmuar nga policia lokale e stacioneve të Vushtrrisë, Mitrovicës, Prelluzhës, Kastriotit (ish-Obiliqit) dhe Skenderajt që komandoheshin nga komandanti regjional Janiqeviq Vuqina, mësyjnë në malet e Çyqavicës, gjegjësisht zonën ku ishte Bat.1, Brig.142, të ZOSh,-ës. Me 15.04.1999, forcat serbe kalojnë lumin Sitnica dhe pozicionohen në fshatin Bukosh dhe Novolan, ku ishin të pozicionuar forcat tjera serbe.

Në mëngjesin e datës 16 prillit, njësitë serbe kalojnë fshatin Bukosh dhe Bruznik dhe bashkohen me forcat serbe që ishin të pozicionuara te vendi i quajtur “Te Pishat”, afër fshatit Taraxhë. Rreth orës 13:00 hasin në rezistencën e UÇK-së, por në pamundësi për t’i ndaluar, një pjesë e forcave serbe hyjnë në fshatin Kollë, dhe pjesa tjetër e serbëve kalojnë nga fshati Dubofc i Drenicës. Në natën e 16 dhe 17 prillit njësit ushtarake, policore dhe paramilitare serbe vendosën në lagjen Behrami të Dubofcit.

Njësitë vëzhguese të Bat.1, Brig.142 të UÇK-së kishin përcjell lëvizjet serbe dhe raportojnë në komandën e batalionit. Komandanti i batalionit, Aziz Bici, ishte i plagosur dhe i angazhon njësitë e batalionit të dalin nëpër pozicione dhe t’i ndalin serbët që mos mund të hyjnë në vendet ku ishin të strehuar popullata e paarmatosur. I tërë Bat.1, mobilizohen dhe pozicionohen nëpër vende kyçe kah mund të hynin serbët te popullata civile.
Popullatë civile, në zonën e përgjegjësisë të Bat.1, ishin të strehuar në; Strofc (lagjen Aliu, Lagjën Hasani, vendin e quajtur “Kroni i Etheve”, “Lugu i Kishës”, “Ara e Zukës”, “Lugu i Kuajve”, “Zalli i Qereqit”, etj), në fshatin Bequk (vendin e quajtur “Ara e Nezës”, “Lugu i Firit”), mbi fshatin Mihaliq, Druar, Shallc, mbi fshatin Zhilivodë (vendin e quajtur “Kërrshi i Gomurit”, “Varri i Hoxhës”).
Forcave serbe synonin asgjësimin e Brig.142, gjegjësisht Bat.1, që të paraqiten si të suksesshëm para mediave dhe opinionit serbë. Serbët e armatosur dhe të ngjyrosur si bisha të egra posa hyjnë në fillim të Çyqavicës vrasin dhe masakrojnë disa civil afër fshatit Dubofc. Me të depërtuar mbi fshatin Krasminofc, te vendi i quajtur “Stanica e Bjeshkës”, serbët i zënë dhjetëra civil të paarmatosur, që nuk kishin mundur të largoheshin pasi i kishin me vete prindërit e sëmurë dhe të paralizuar. Pasi i mbledhin të gjithë i vrasin dhe i masakrojnë, e kufomat e tyre të gjymtuara i lënë në skaj të rrugës që të tmerroheshin kushdo që të kalonte andej.

Ekrem ISUFI, i cili ishte duke vëzhguar lëvizjet e serbëve, i dëgjon britmat e civilëve dhe vrapon për t’i shpëtuar. I gjuan me breshëri automatiku duke i lënë disa serb të vrarë dhe dy tjerë të plagosur. Numri i madh i serbëve i pamundëson që të përballët më shumë me ta dhe duke u tërhequr goditët me një breshëri plumbash. Serbët aty pësojnë humbje të mëdha, ku sipas civilëve shqiptar që kishin mbijetuar asaj masakre tregojnë se: “… aty kishin mbetur serb të vrarë dhe të plagosur dhe nga mllefi për dëmet që ia kishte shkaktuar Ekremi, ia marrin edhe kufomën e tij….”. Në vendin e ngjarjes, pas ofensivës, është gjetur vetëm kapela e tij dhe gjak ku ishte goditur Ekremi. Gjak kishte edhe pasur edhe nëpër vende ku ishin goditur serbët. Edhe sot Ekremi konsiderohet i zhdukur, trupi i tij akoma nuk është gjetur. Pas atyre luftimeve, forcave serbe u ndalën për një kohë! Në mëngjesin e 18 prillit 1999, prapë vazhduan rrugën “Kurrizit të Bjeshkës”. Zbresin poshtë “Linit” për të depërtuar te vendi i quajtur “Ara e Nezës” dhe “Ara e Zukës” që të dërgon në fshatrat Bequk dhe Strofc, ku ishin të strehuar me mijëra civil shqiptar të paarmatosur. Njësitë e Bat.1, vendosën në pozicionet te Lini (rrugën mes Çyqavicës) dhe pritnin ushtarët serb. Me tu takuar me forcat serbe ushtarët e UÇK-së, mesin e tyre edhe Enver TAHIRI dhe Mehdi FAZLIU (tani dëshmorë), dhe ushtarët tjerë zhvillojnë një betejë të ashpër kundër forcave serbe. Në ato luftime mbetën disa serb të vrarë dhe të plagosur. Menjëherë, serbet detyrohen ta kthejnë rrugën dhe të vazhdojnë në drejtim drejt “Lugut të Kishës”. Një pjesë tjetër e serbëve u kthyen duke i tërhequr zvarrë të plagosurit dhe të vrarit, dhe i dërgojnë te automjetet e blinduara që ishin të vendosura te “Antena e Bjeshkës”! Automjetet detyrohen të vazhdojnë drejtë për të dal te “Maja e Zezë” dhe të kalojnë për në Pomozotin në kazermën e ish-Armatës Jugosllave. Serbët me automjete të blinduara ndeshën me njësinë që ishte duke vëzhguar nga “Maja e Zezë”, me ç’rast në atë luftime plagoset ushtari i njësisë speciale në Gradicë, Fanol (Azem) SHALA nga fshati Hade i Kastriotit (ish-Obiliqit).
Këmbësoria serbe, duke pa rrezikun që po iu kanosej, të cilëve iu kishte dështuar plani për të depërtuar te civilët, vendosin të kalojnë në drejtim të kah Lini për te “Lugu i Kishës”. Aty hasën në një rezistencë të ushtarëve të Bat.1, nga fshati Strofc, ku edhe bije dëshmor Januz JASHARI, vëllai i dëshmorit të kombit Jashar Jashari, komandant Duraku. Luftimet që u zhvilluan te vendi i quajtur “Guri i Kishës” dhe “Roga e Prekokës”, ushtria dhe paramilitarët serb kuptuan se nuk do mund të depërtonin në vendin ku ishin civilët të strehuar. Në atë vend luftimet ishin të ashpra, dhe gjatë luftimeve, Avni (Hajdin) KLINAKU, tregoj një trimëri të rrallë. Gjatë luftimeve ballë për ballë me forcat serbe Avni Klinaku do të bije heroikisht duke i mbrojtur popullatën e paarmatosur shqiptare.

Luftimet që zhvilluan njësitet e Bat.1, të Brig.142, e turpëruan Armatën e Serbisë dhe nuk e lejuan në asnjë mënyrë të bëjnë krime, vrasje masive, përdhunime, plaçkitje dhe gjëra tjera çnjerëzore siç vepruan nëpër vende dhe zonat tjera. Në asnjë moment këto njësi nuk lejuan vendqëndrimin e serbëve të pozicionoheshin.

Qoftë e paharruar vepra dhe kujtimi për dëshmorët e kombit që u flijuan për lirinë që e gëzojmë sot. Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve, Gëzim RAMA, Ekrem ISUFI, Enver TAHIRI, Januz JASHARI, Avni KLINAKU, Mehdi FAZLIU!

Lavdi të gjithë dëshmorëve e kombit!