Kritikat e DASH-it pas aksionit në veri, Murati: Çdo veprim është i bazuar mbi ligjshmërinë

Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se mbyllja e gjashtë degëve të Bankës Postare të Kursimeve të Serbisë në veri të Kosovës, është bërë për shkak se të njëjtat s’kanë pasur licencë financiare.

Murati në konferencën për media ka thënë se ka pasur dyshim të bazuar që atje po zhvillohet aktivitet financiar në kundërshtim me ligjin, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Në lidhje me aksionin e djeshëm, është dyshimi i bazuar që aktivitete të tilla janë zhvilluar pa pasur licencën përkatëse financiare e është e kundërligjshme dhe ka pasoja ligjore. Shumat që janë sekuestruar ato i takojnë një procesi gjyqësor tanimë.

Ka pasur dyshim të bazuar që po zhvillohet akt financiar në kundërshtim me ligjin. Destinimi i mjeteve pastaj është hapi i dytë, për të cilin organet e rendit do të duhej të siguronin prova të caktuara se për ku kanë qenë të destinuara. Këto u takojnë organeve të rendit. Dyshimet janë se është zhvilluar aktivitet pa licencën e nevojshme financiare”, tha Murati para gazetarëve.

Në lidhje me reagimin e Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), që tha se aksioni nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe përshkallëzon tensionet, Murati tha se çdo veprim është i bazuar në ligjshmëri.

“Sa i përket reagimit, nuk jam në dijeni për detajet, por çdo veprim është i bazuar në ligjshmëri dhe shtrirjen e ligjshmërisë në çdo cep të vendit”, tha Murati.

Departamenti amerikan i Shtetit të martën shprehu zhgënjimin për mbylljen nga policia e Kosovës të gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit, duke thënë se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”.

“Ai (veprimi) minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve mes saj dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha një zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, për Zërin e Amerikës.

Zëdhënësi vë në dukje se “qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar vazhdimisht koordinim ndërmjet qeverive tona” në mënyrë që ta mbështesë përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, përfshirë së fundmi “nga nënsekretarja e shtetit Elizabeth Allen në takimin e saj me kryeministrin Kurti më 19 maj”.

Departamenti i Shtetit përsëriti shqetësimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me masat e Bankës Qendrore të Kosovës për kufizimet mbi përdorimin e dinarit serb.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe t’u përgjigjet adresojë nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj — përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”, përfundon zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Lini një Përgjigje