Kritikohet për shfrytëzimin e veturës zyrtare jashtë orarit, ministrja Haxhiu thotë se ka të drejtë ta përdorë 24 orë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është fotografuar ditën e sotme teksa ka përdorur veturën zyrtare jashtë orarit të punës.

Reagime të ashpra, për këtë ka pasur në rrjete sociale, ku edhe janë shpërndarë këto fotografi, ku Haxhiu shihet teksa e merr djalin e saj nga shkolla.

“A mban mend kur fyenit e shanit për përdorim të veturave zyrtare. Erdh dita e mashtruesve”, thuhet në reagimet e qytetarëve në rrjetet sociale.

Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar me ministren Haxhiu, e cila ka thënë se është e vërtetë që ka marrë fëmijët nga shkolla me veturë zyrtare.

Ajo ka thënë se ministrat kanë të drejt që ta shfrytëzojnë veturën zyrtare 24 orë derisa ka shtuar se duhet kuptuar fakti se ajo është nënë dhe duhet t’i marrë fëmijët nga shkolla.

“Ministrat kanë të drejt që ta shfrytëzojnë veturën zyrtare 24. Është e vërtet që unë jam në ato fotografi, mirëpo unë nuk mund t’i lë fëmijët në shkollë. Normal që duhem me shku me i marrë. Unë para së gjithash jam nënë dhe nuk mund t’i lë fëmijët, ata dikush duhet t’i marr nga shkolla. Duhet kuptuar fakti se unë jam ministre e Drejtësisë dhe kam shumë punë, kam shku e kam marrë fëmijën dhe jam kthyer, nuk ka asgjë të keqe”, ka thënë Haxhiu.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje ishte kritikuese e ashpër e qeverisjeve të kaluara për keqpërdorim të veturave zyrtare. /Lajmi.net/